Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik
Në konferencën e titulluar “Luftojmë Korrupsionin dhe Krimin Ekonomik” u tha se “Shqipëria kontribuon aktivisht në organet monitoruese të Këshillit të Evropës, përfshirë Grupin e Shteteve kundër Korrupsionit (GRECO) dhe Komitetin e Ekspertëve mbi Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (MONEYVAL), përsa i përket luftës kundër krimit ekonomik, korrupsionit, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.
Konferenca diskutoi progresin e bërë dhe sfidat në bashkëpunimin e vazhdueshëm midis Shqipërisë dhe GRECO e MONEYVAL. E mbajtur në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, konferenca mblodhi përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, trupit dipolomatik, institucioneve publike, universiteteve, shoqërisë civile, sektorit privat dhe medias.
Konferenca u hap nga Artan Hoxha, Dekani i Fakultetit Juridik në Tiranë i cili mirëpriti këtë konferencë në ambjentet e Universitetit. Gianluca Esposito, Kreu i Departamentit të Veprimit kundër Krimit të Organizuar në Këshillin e Evropës e njëkohësisht Sekretari Ekzekutiv i GRECO-s, vlerësoi bashkëpunimin e mirë me autoritetet shqiptare, duke i prezantuar pjesmarrësve kontributin e Këshillit të Evropës dhe BE-së në mbështetje të proceseve të reformave në vend ndërmarrë nga autoritetet shqiptare, përfshirë reformën në kodin elektoral, legjislacionin kundër pastrimit të parave, forcimin e sistemit të deklarimit të aseteve dhe pasurisë, procesimi dhe publikimi i aseteve të deklaruara nga zyrtarët publik, etj..
Kreu i Departamentit të ‘Shtetit të së Drejtës dhe Qeverisjes së Mirë’ në Delegacionin’ e BE-së në Shqipëri, Lenka Vitkova, theksoi rëndësinë e luftës kundër krimit ekonomik dhe pastrimit të parave në procesin e konsolidimit të shtetit ligjor dhe reformave në kuadër të integrimit evropian.
Pjesmarrësit u përshëndetën nga Ambasadorja Franceze në Shqipëri Christina Vasak dhe Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë Jutta Gützkow. Gützkow tregoi për zbatimin e Veprimit kundër Krimit Ekonomik, si pjesë e Programit “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022” ku Këshilli i Evropës dhe BE luajnë një rol të rëndësishëm duke ndihmuar Shqipërinë në luftën kundër krimit ekonomik dhe pastrimit të parave.