Teksa gjithë vëmendja e debatit publik dhe politik është fokusuar tek përplasjet në Partinë Demokratike, situatë aspak të qetë duket se po kalon edhe Partia Socialiste.
Gazeta ka mësuar se lëvizja e bujshme e kryeministrit Rama duke promovuar Belinda Ballukun si figurën numër 2 në selinë rozë, ka aktivizuar klanet brenda PS-së. Mësohet se po bëhet një luftë e heshtur e nëndheshme tejet e fortë. Klani që është aktivizuar është ai i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Ky i fundit pas zgjedhjeve të përgjithshëm të prillit që kaloi, është lënë nën hije, ku pavarësisht se shpresonte që kryeministri Edi Rama ta përfshinte në kabinetin e ri qeveritar, të vetmin ofiq që mori ishte vetëm lënia drejtues i grupit parlamentar socialist. Kjo ka bërë që Balla të rreshtohet krah kryebashkiakut Veliaj, i cili ka pas vetes shumë figura të të tjera të PS me vete si Etjen Xhafaj, Fatmir Xhafaj, Toni Gogu, Etilda Gjonaj dhe shumicën e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PS.
Mësohet se këtë klan, Veliaj po e ushqen dhe rrit çdo ditë, pasi ka ambicie për një mandat të tretë në krye të Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë me promovimin që po i bën Rama, figurës së Ballukut, duke e fuqizuar edhe më shumë në skenën politike si edhe në kupolën e PS, lufta është nxehur edhe më shumë.
Burime të gazetës “SOT” kanë treguar se pas vendimit të Ramës për Ballukun, Veliaj është shfaqur i mënjanuar dhe i frikësuar, pasi lëvizja e fundit e Ramës me kalimin në postin e numrit 2 të qeverisë së Belinda Ballukut, duket se po i hap rrugë kandidimit të saj në krye të Bashkisë së Tiranës.
Prej kohësh ministrja Balluku ka bërë lobim të hapur kundër Erion Veliajt duke i hapur luftëra të fshehta për ti dobësuar pozitat në raport me kryeministrin Rama. Ky i fundit duke parë se protagonizmi i Veliajt në arenën ndërkombëtare, apo dhe në raport me një grupim të caktuar brenda PS është shumë i fuqishëm,kërkon ta zëvendësojë me një personazh si Balluku, e cila në aspektin e intelektit, apo dhe staturës politike është një nulitet në raport me Erion Veliaj.
Balluku synon t’i marrë bashkinë Veliajt
Balluku është hedhur në sulm për dhe madje ka shfaqur ambicien për t’i marrë bashkinë Veliajt. Në këtë kontekst, mësohet se në prapaskenë po bëhet një luftë shumë e fortë, ku secili klan po punon fort, në mënyrë që të fitojë simpatinë e kryeministrit Rama, me qëllim që në zgjedhjet vendore të vitit 2023 ose zonja Balluku, ose zoti Veliaj të jenë kandidat për Bashkinë e Tiranës nën siglën e PS.
Kështu që nisur nga këto të dhëna dhe lufta e fortë që po bëhet në prapaskenë, duket qartë se pas Partisë Demokratike, edhe në Partinë Socialiste pritet të “shpërthejnë ujërat” nga nëntoka. Pra, përtej buzëqeshjes para kamerës dhe tentativës për t’i paraqitur publikut harmoninë që ekziston brenda PS, aty më së shumti ka intriga, thika pas shpine dhe luftë për pushtet. Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
PS drejt ristrukturimit në vjeshtë
Gazeta e raportoi pak ditë më parë, se në vjeshtë priten surpriza të mëdha. Në radhët e mazhorancës ndodhen disa personazhe të tjerë publikë që janë implikuar rëndë me rastin në fjalë. Largimi i Arben Ahmetajt mund të pasohet edhe me largimin Engjëll Agaçit, i cili de facto është lënë në hije nga Edi Rama dhe rolin e tij e ka marrë zëvendësja Kokona e cila drejton sekretariatin e përgjithshëm të qeverisë.
Gjithashtu “nën shënjestër” është vendosur dhe Niko Peleshi i cili nuk është personazh i admirueshëm nga aleatët, por njëkohësisht nuk është në skuadrën e afërt të Edi Ramës. Një tjetër ministre që mund të lëvizë është edhe ajo e Bujqësisë, Frida Krifca e cila, nuk ka plotësuar asnjë pritshmëri apo objektiv të vendosur nga Kryeministri Rama.
Edi Rama do adaptojë lëvizjet e emrave në qeveri si një mburojë ndaj imazhit negativ që mund ti krijohet nga goditje të emrave të përzierë me korrupsion. Në pritje janë një sërë figurash për të rihyrë në skemën qeveritare që nga Taulant Balla, Bledi Klosi, Erion Braçe, Damian Gjiknuri, Blerina Gjylameti apo dhe ndonjë rrokadë në kabinet.