Juventusi ka barazuar 1-1 me Interin në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë, në “Allianz Stadium”. Rasti i parë konkret i takoi Di Marias, goditja e argjentinasit u ndal nga Handanoviç. Në mesin e fraksionit, ishte Edin Xheko që provoi nga distanca, por gjuajtja e tij ishte tepër e dobët. Në minutën e 33, Brozoviç iu afrua golit, por vetëm kaq, pasi tentativa e tij u neutralizua nga portieri Perin.
Në pjesën e dytë ishte “Zonja e Vjetër” që mundi të festonte, pasi Kuadrado ndëshkoi Handanoviçin në minutën e 83. Në fund zikaltërit fituan penallti, të cilën e shndërroi në gol Romelu Lukaku.
Sakaq minuta kishte edhe për Kristjan Asllanin, i cili hyri në fushë në minutën e 81. Por, mesfushori shqiptar nuk mundi të bënte asgjë për të ndryshuar fatin e kësaj përballje. Tashmë duhet pritur ndeshja e kthimit për të mësuar verdiktin se cila skuadër do të shkojë më tej.
Sfida ku do të vendoset finalisti do të luhet më 26 prill në “San Siro”.