Nga Anri Bala
Na ngulën në televizor të dëgjonim fjalime fitoresh të mëdha, se po vinte ajo e shkreta… drejtësi. Mbaj mend se të gjithë në atë kohë mbajtëm frymën, disa prej tyre buzagaz i kthyen sytë nga ekrani, e disa të tjerë i mbështetën veshët fort në bokse magnetofonësh ta dëgjonin mirë… ta shihnin mirë… duhet ta dëgjonin saktë, nga frika mos ishin në ëndërr.
U krijua një situatë e pazakontë, me njerëz që nisën të sillen çuditshëm! Dikush pickonte tjetrin në dorë, e dikush qëllonte me pëllëmbë veten në faqe! Disa aq shumë i fërkuan duart nga gëzimi, sa “grisën” lëkurën të mjerët! E për çfarë?! Që t’i tronditej besimi sërisht, t’u venitej shpresa, për drejtësinë e humbur nga “demotradhëtia”.
Nuk është faji i sistemit në fakt, por i një dore të vogël… i llumit. Llumi na polli bushtrën, e bushtra polli ca mostra… ku hetues, prokurorë dhe gjyqtarë të diktaturës së përmbysur, gjykonin, hetonin dhe dënonin… e dënojnë përsëri!
Dje, në të njëjtin ekran që ndoqa fjalimet e fitoreve të mëdha, pashë se si 17 të akuzuar për korrupsion me pasoja të rënda, zyrtarë të rangut të mesëm, u liruan pa u hyrë gjembë në këmbë dhe në vend mbetën ca “ushtarë”, si bedela për shefat e tyre!
Po dje, nga i njëjti magnetofon, dëgjova se si një kryetar bashkie i sapo zgjedhur, që ka më shumë muaj në arrati se sa në detyrë, po gjykohet për masën “arrest me burg”, sepse nuk kishte qenë kurrë i dënuar, por kishte mashtruar, sepse nuk kishte deklaruar që kishte qenë i akuzuar, duke u kapur gafil nga ligji “bio Albania”… dekriminalizimi!
Çudia e tretë në pak orë, që nuk do zgjas as kjo shumë gjatë, ndodhi sot! Lulzim Basha as që do gjykohet për paratë e lobimit, jo se ka marrë raport, porse hjeksit e PD-së për të vrarë drejtësinë, e kanë akoma në dorë armën… bandën KÇK.
Nuk kam asgjë personale me Lulzim Bashën dhe i kërkoi ndjesë, sepse çfarë drejtësie do kishte nëse dënohet një i pafajshëm, cilido qoftë ai?! Por kur flet për bëma dhe gjëma të mëdha, të arrish kulmin e “pafajësisë”… mos gjykimin, kjo është e dhimbshme edhe për vetë gjëmaxhiun.
Nuk dua të bëj gjyqtarin, por duke iu larguar lobimit, padashje pyes lartë e poshtë, se vërtet kanë luksin shqiptarët të paguajnë 1 milion dollarë për të sharë Shqipërinë dhe për tu zgërdhirë me Trump, që as që e di se ka PD dhe lularë në Shqipëri?!
Seriozisht e ka Beni i ish-KQZ, se kemi paguar me paratë tona, a thua se SHQUP-i është një parcel që prodhon dollarë si patate, duke u vaditur nga uji me fekalet e Lanës, apo gropë ku nuk i’a gjen kush fundin nga llumi i parave?!
Vërtet ekziston ky njeri që nuk gjykohet kurrë, se herë merr raport, herë jep raport, herë gënjen, herë djeg, herë vret dhe askush nuk e pyet dhe kurrë nuk flet… por vetëm fiton?!
Ndaj, bravo Lulzim, se më në fund i dhe Shqipërisë diçka që “vlerësohet” nga çdo hallexhi i sojit tënd: Si të akuzohesh, hetohesh dhe kurrë të mos gjykohesh!/Ekskluzive.al