Shenjat dalluese: I shoqëruar me 10-12 persona, i veshur sportiv, a e kanë ngatërruar me Ilir Metën?
Prej 15 ditësh, malësorët në të dy anët e zonës Shqipëri-Kosovë, kanë prishur traditën e tyre “derë hapur”, duke lënë roje nëpër kulla, stane e kullota, jo prej frikës së shkjaut, ujkut e ariut, pro prej një rreziku tjetër, që është përhapur në ato zona.
Shkak i ruajtjes së banesave e bagëtive, thuhet se është bërë, një alarm i përhapur në zonat e banuara shqiptare, nga maja e Oshlakut deri në Prevalle e sidomos në Rugovë, se në bjeshkë paska hyrë e po qarkullon një hajdut shumë i rrezikshëm, i pamëshirshëm e i pandalshëm, që nuk pyet as për shtet e as për ligje.
Ky ankth po përjetohet prej 15 ditësh dhe malsorët, vazhdojnë informohen rregullisht me njeri-tjetrin, për lëvizjet që po bënë hajduti në fshatrat dhe bjeshkët, ku ata kanë kullat, stanet e bagëtitë në kullota, duke dalë e vrojtuar nëpër maja malesh, por edhe duke lëshuar qentë për ta mbajtur larg.
Malsorët e kanë pikasur dhe tashmë, kanë disa shenja identifikuese të tij, nëpërmjet të cilave mund ta dallojnë, hajdutin që u ka hyrë në zonë prej 15 ditësh e u ka kallur tmerrin, mbasi në bjeshkë janë përhapur fjalë, për rrezikshmërinë dhe zotësinë e tij për të vjedhur e për të shpëtuar edhe kur kapet duke vjedhur.
Sipas informacionit që kanë malsorët e bjeshkëve Shqipëri-Kosovë, ky hajdut po qarkullon ditën, i veshur si sportist, i shoqëruar me ka 10-12 njerëz të armatosur, me dylbi e kufje në vesh të cilët i qëndrojnë para e prapa, me vete mbanë dhe një qen kufiri.
A thua, ta kenë ngatëruar presidentin Ilir Meta, me hajdut, mbasi ka një koncidencë krejt rastësore në shënjat që japin malsorët: Likja po lëviz prej 15 ditësh me pushime në bjeshkë, i veshur sportiv, del e vrojton majë maleve, shoqërohet nga eskorta me 10-12 oficerë të Gardës dhe me qenin e tij “policor” Rei?!