“Janë mbi 736 mijë doza vaksine tashmë të mbërritura në vend. Presim përgjatë kësaj jave 11,700 doza vaksine, të cilat vijnë nga kontrata që ne kemi me Pfizer si dhe nga kontrata që kemi lidhur me Bashkimin Europian”.
Fjalët janë të ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu që ndoqi sot procesin e vaksinimit në sheshin Skënderbej, ndërkohë që ka bërë me dije kalendarin e mbërritjes së vaksinave në vend.
“Përgjatë muajit maj ne presim rreth 99 mijë vaksina të tjera nga kontratat që kemi lidhur me instrumentin Covax, me Pfizer dhe gjithashtu me instrumentin e krijuar tashmë nga Bashkimi Europian”, deklaroi Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë theksoi se Shqipëria arriti kryerjen e 500 mijë vaksinimeve para afatit të vendosur, ndërkohë që bëri me dije objektivin e ri.
“Ne tashmë jemi drejt 1 milion vaksinimeve. Shqipëria është ndër vendet që ka një ritëm të lartë të vaksinimeve. Kjo për arsye të ecjes me shpejtësi, të lidhjes së kontratave dhe gjithashtu edhe lëvrimit të dozave të vaksinave në një kohë shumë të shpejtë”, tha Manastirliu.