Të gjithë kemi përjetuar një vit të vështirë, si në pjesën shëndetësore, ashtu dhe në ato ekonomike dhe në kufizimin e lirive personale.
Të gjithë tifozët dinë edhe që finalja e Champions League që do të luhet në Porto do të jetë e para e Manchester City. Por asnjërit nuk do ti shkonte mendja që pronari i ekipit, sheiku Mansour, do t’i dhuronte të gjithë tifozëve që kanë arritur të gjejnë një biletë për në stadium, të gjitha shpenzimet e udhëtimit.
Fillimisht, kur lajmi doli në faqen zyrtare të klubit, shumë menduan për një shaka ose për veprën e një pirati informatik, por më vonë vetë sheiku shpjegoi iniciativën.
“Guardiola dhe djemtë kanë arritur një sezon të shkëlqyeshëm, dhe arritja e finales është kurorëzimi i saj. Është shumë e rëndësishme që të kemi numrin më të madh të mundshëm të tifozëve, veçanërisht nga ata që për shumë vjet e kanë mbështetur ekipin në momentet e mira dhe të këqija”, deklaroi ai.
Ndoshta një gjest i vogël për një nga personat më të pasura në botë, vëllai i emirit të Emirateve Arabe, por që gjithsesi është tejet i rrallë edhe në një botë si ajo e futbollit, e drejtuar nga miliarderë.