Nga Adriatik Doçi
Në 4 nëntor 2008, zonja Ina Rama, në atë kohë në funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm, i propozon Bamir Topit, asokohe President, emërimin e Ols Dados prokuror në Progradec. Propozimin e saj, zonja Rama e mbështet në nenin 149 pika 3 të Kushtetutës dhe në nenin 8, pika 2, germa ‘b’ të ligjit nr. 8737 datë 12. 02. 2001 për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë (i pa ndryshuar deri ditën e firmosjes së këtij propozimi). Mbështetur në të njëjtën bazë ligjore, Presidenti Bamir Topi, në 17 nëntor 2008, miraton propozimin e Ina Ramës, duke dekretuar emërimin e Ols Dados prokuror në Pogradec.
Baza ligjore e referuar nga Ina Rama dhe Bamir Topi parashikon vetëm kompetencat e kryeprokurorit dhe presidentit për emërimin e prokurorëve. Kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojë një kandidat për t’u emëruar prokuror parashikohej në nenet 17 dhe 18 të ligjit të kohës nr. 8737 datë 12. 02. 2001 për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë.
Neni 17 i ligjit, përpos të tjerave, parashikonte që mund të emërohet prokuror shtetasi që ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës. Neni 18 parashikon që mund të emërohet prokuror edhe personi që nuk e ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës, por që ka punuar jo më pak se tre vjet pedagog në Shkollën e Magjistraturës, në Fakultetin Juridik, këshilltar ligjor, drejtues ose specialist në strukturat juridiko-profesionale në Kuvend, Presidencë, qeveri, Gjykatën e Lartë, Ministrinë e Drejtësisë, Avokatin e Popullit, deputet me arsim juridik dhe oficer i policisë gjyqësore.
Ols Dado nuk plotësonte as kriteret e parashikuar në nenin 17 dhe as në nenin 18 të ligjit nr. 8737 datë 12. 02. 2001 për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë. Dado kishte vetëm arsimin juridik dhe nuk kishte punuar 3 vite në një nga funksionet e parashikuara nga neni 18 i ligjit.
Më konkretisht, karriera e Ols Dados para se të bëhej prokuror është kjo: Nga 16.12.1995 – 15.2.1996, punonjës pranë Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta. 16.2.1996 – 10.9.1996, punonjës pranë “A.M.C” sh.a. 29.1.1997 – 8.11.2000, punonjës pranë Bashkisë Durrës. 9.11.2000 – 30.6.2003, nuk punoi. 1.7.2003 – 29.9.2005, punonjës në ish-Komisionin e Letrave me Vlerë. 2005 – 2008, ka punuar si noter.
Në propozimin e zonjës Ina Rama theksohet “Ols Dado, me arsim të lartë juridik’. Arsimi i lartë juridik është vetëm një nga kriteret dhe si i tillë (i veçuar) është pamjaftueshëm për t’u emëruar prokuror, ndryshe të gjithë juristët dhe noterët do bëheshin prokurorë.
Çfarë e ka shtyrë Ina Ramën të angazhohej për të kapërcyer ligjin për katapultimin e Ols Dados prokuror?
Po Bamir Topi pse ka pranuar një propozim në kundërshtim me ligjin?
Çfarë duhet bërë me mandatin e Ols Dados në SPAK?
Përgjigja u takon organeve të drejtësisë së re, ILD, KLP, SPAK dhe Gjykatës Kushtetuese. ‘Koka në rërë’, ‘një sy qorr’ dhe ‘një vesh shurdh’ zbeh besimin te drejtësia./Prapaskena.al