Kryeministri Zoran Zaev pas takimit me liderët e partive politike dhe krerëve shtetëror ka theksuar se opsioni dhe emri i propozuar që mund të jetë kompromis midis dy vendeve është “Republic of Ilinden Macedonia” apo në shqip siç e citoi edhe ai “Republika Ilindenase e Maqedonisë”, shkruajnë mediat maqedonase.
“Sot në takim me krerët shtetëror informova në lidhje me negociatat me Greqinë për emrin. Informova presidentin, kryetarin e Kuvendit se qeveritë e dy vendeve flasin për opsione që mund të jenë. “Republika Ilindenska Makedonija”, (shqip: Republika Ilindenase e Maqedonisë) është propozimi rreth të cilit mund të ketë kompromis me Greqinë. Me këtë garantohet identiteti i maqedonasve, multietniciteti duke përfshirë të shqiptarët, romët, turqit, vllehët dhe të tjerët. Ilindeni nuk ka asnjë aspiratë territoriale ndaj asnjë shteti, përfshirë edhe Greqinë”, tha Zaev.
Zaev tha se ky propozim do të thotë vazhdimësi historike e shtetit dhe të ardhmes së ndritur.
“Me këtë e forcojmë identitetin tonë maqedonas dhe të gjitha etniteteve që jetojnë në Maqedoni”, theksoi Zaev. Sipas tij, emri i gjuhës do të njihet si “macedonian – maqedonas” dhe identiteti po ashtu do të jetë i njejtë.
Ai tha se me këtë zgjidhje në qershor vendi do të marrë ftesë në NATO, ndërsa do të hapen dyert edhe në BE, fonde më të shumta për zhvillimin e vendit./INA