I jashtëzakonshmi zotëri “gjithçkabërësi”. Për disa, një mutant. Edhe një Mesia që ecën mbi ujë. Sigurisht një tregtar ëndrrash, Marchand, me një mbiemër që ndihmon në lojën e fjalëve.
“Léon, Léon, Léon”, bërtet Franca duke kënduar Marsejezën.
Ai është më shumë se një Napoleon, ai është një Robespier i notit: ekstrem dhe radikal. Në moshën 22-vjeçare, djaloshi i madh nga Toulouse po revolucionarizon notin: në Paris ai kandidon për titullin e tij të katërt individual në 200 metra i përzier.
Ai i kishte gllabëruar më parë tre të arta të tjera: të parën në 400 metra i përzier, ku në Tokyo tre vjet më parë ai arriti rezultatin më të mirë të Lojërave (vendi i 6-të). Dy të artat e tjera në një natë të vetme, në më pak se dy orë, në 200 flutur dhe 200 bretkosë.
Nuk ka ndodhur kurrë, edhe sepse bretkosa dhe flutura janë dy stile që nuk përputhen mirë në natyrë: i pari përdor këmbët si motor, tjetri krahët.
Me totalin e katër medaljeve, ai nuk ka si mos të jetë sensacioni i Paris 2024 deri tani, ku ka fituar popullaritet të jashtëzakonshëm edhe në terma jashtë-francezë (mbi gjysmë milionë ndjekës në Instagram në pak ditë).
Emmanul Macron e sheh nga larg, e duartroket, i ndriçojnë sytë teksa njëkohësisht në profilin e tij zyrtar në Twitter del publikimi i radhës për këtë “përbindësh” të pishinës, i cili e ka karrierën përpara.
Faqja zyrtare e Paris 2024 është duke u “shkrirë” e tëra për Marchand, ku nuk kursehen publikimet me batuta dhe meme: Klikoni këto nëse nuk jeni robot (shfaqet fotoja e famshme me captcha-n e sigurisë dhe në sfond Marchand). Një fshirje gishti në të djathtë dhe del fotoja e dytë, me francezin, i cili tashmë është gjysmë cyborg. Nuk ka tjetër si ai!
Marchand në emër të Phelps
Léon di të përdorë gjithçka dhe noton me gjithçka, në stilin Phelps. Në fakt, ai stërvitet që nga viti 2021 në Texas me ish-trajnerin e Michael, Bob Bowman.
Trajneri amerikan, 59 vjeç, mban fanellën e Les Bleus në Francë. Më shumë se një trajner, ai është një guru i “klorit”.
Megjithatë, edhe ai, i cili ngriti legjendën e pashoqe të peshkaqenit të Baltimorës (28 medalje në Lojërat Olimpike, duke përfshirë 23 të arta për Phelps, më i titulluari atlet i gjithë kohërave në olimpiada), pranon se Marchand ka diçka të pazakontë.
“Nëse do të më duhej ta përshkruaja, në radhë të parë do të thosha se është një djalë i mirë, i sjellshëm, i qetë, me shumë përulësi. Gjithashtu një student i shkëlqyer. Dhe një notar me një etikë të rrallë pune. Ai e do shumë notin. Ai mori një trajnim të shkëlqyer teknik. Dhe gjithashtu gjene të shkëlqyera”.
Vetë Phelps, duket i mahnitur me francezin 22-vjeçar dhe nuk e fsheh se i kujton veten pamasë. Por mbi të gjitha, ai e eksiton në garat e notit, ku kanë qarkulluar video të Phelps, teksa festonte si i çmendur fitoret e Marchand, mbi të gjitha rikthimin legjendar që bëri në 200 metra flutur, në 30 metrat e fundit. Të gjithë e duan.
Kush është Léon Marchand
Anatomia e mostrës. Me kuriozitet: nëna natyrë nuk ka shumë të bëjë me të, pavarësisht se është bir i dy olimpistëve. Babai Xavier konkuroi në Lojërat e vitit 1996 dhe 2000 (200 metra të përzier), nëna Celine Bonnet ishte një garuese në shpinë dhe të përzier në Barcelonë 1992.
Xhaxhai i tij, Christophe Marchand, ishte gjithashtu një garues në stilin e lirë (1988 dhe 1992).
Ai ka një vëlla 17-vjeçar, Oscar, i cili tani për tani duartroket nga tribuna. Prindërit e tij nuk e ngacmuan kurrë me aromën e klorit, madje duke ditur sakrificat, ata u përpoqën ta mbanin larg korsive, duke e dërguar në xhudo dhe regbi.
Nuk ishte e vështirë në fillim: Léon e gjeti ujin shumë të ftohtë për të. Kur u zhyt përsëri në të në moshën 7-vjeçare, ai nuk e la kurrë ama.
U rrit pak nga pak. Dhe jo shumë: ai ka një fizik normal. Jo hapja e krahëve të Phelps (2.03). Ai është më i vogël dhe më i hollë (1,86 m dhe 77 kg), krahasuar me 1,93 m dhe 88 kg të Michael.
Është e vërtetë që edhe për shpejtësinë sot muskujt janë relativisht të rëndësishëm: mjafton të shohësh rekordmenin kinez në 100 metra stil i lirë, Pan Zhanle (1.90 për 74 kg), ose medalistin e bronztë David Popovici (1.90 për 80 kg).
Sekretet e Marchand
Pra, ku është forca e tij? Fleksibilitet i madh i kyçeve, veçanërisht i shpatullave, thelbësor për fluturën, si dhe i këmbëve që shkojnë nga brenda gjatë notit, duke e ndihmuar atë të marrë më shumë ujë në valëzime.
Ai vesh këpucë me madhësi 46 – “Më shumë se fiziku im, besoj se janë aftësitë e mia energjike ato që më dallojnë nga të tjerët. Unë mund ta rigjeneroj trupin tim shumë lehtë, edhe gjatë një gare. Dhe nuk janë të shumtë ata që ia dalin”, tregon vetë ai.
Robin Pla, koordinator i shërbimit të optimizimit të performancës në Federatën Franceze, përmes matjes së laktatit, një tregues që ilustron profilin metabolik dhe shpenzimet e energjisë, tha për L’Equipe:
“Ajo që shohim te Léon, përmes të dhënave të tij pas garës, është mbi të gjitha aftësia e tij për t’u rikuperuar shumë shpejt. Ai mund të mbështetet në sistemin parasimpatik për të menaxhuar emocionet e tij dhe për të siguruar që ato të mos ndikojnë në zemrën, e cila është e aftë të vetërregullohet dhe të qetësohet lehtësisht”. Ai bën ushtrime të frymëmarrjes për të “rivendosur dhe risinkronizuar sistemin nervor autonom”.
Mbi të gjitha, është shumë i lëngshëm, trupi i tij ofron më pak rezistencë ndaj ujit. Por më shumë se shkencë, Léon dëgjon veten: “Çdo ditë, unë punoj në mënyrën time për të ndjerë dendësinë e ujit, presionin e tij. Marrëdhënia ime me ujin është mjaft intime dhe instinktive. Kur isha i vogël ishte vendi ku ndihesha më i qetë, ku mund të strehohesha. Unë jam në elementin tim atje”.