Një atentat me armë zjarri ka tronditur zonën turistike të Pržnos, pranë Budvës, ku shënjestër ka qenë Marko Ljubiša, i njohur me nofkën “Kan” dhe i konsideruar si një nga figurat më të fuqishme të botës kriminale në Mal të Zi.
Ngjarja ndodhi në ambientet e një hoteli luksoz, në një moment kur pranë pishinës qëndronin dhjetëra pushues.
Autori i sulmit, një i ri që sillte veten si turist, iu afrua shumë pranë Ljubišës teksa qëndronte i shtrirë në shezlong , por rrëshqiti mbi pllakat e lagura, duke humbur ekuilibrin. Ky gabim e shpëtoi “Kan”-in nga një sulm fatal, pasi plumbat vetëm i shkaktuan një gërvishtje në kokë dhe një plagë të lehtë në këmbë.
Falë ndërhyrjes së shpejtë mjekësore, Ljubiša u transportua menjëherë në spital dhe gjendet jashtë rrezikut për jetën. Policia lokale ka rrethuar zonën, ka ngritur postblloqe në rrugët përreth dhe po shqyrton pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar dhe kapur autorin, i cili u largua me një automjet BMW drejt Petrovacit.
Marko Ljubisa, është drejtuesi i një bande kriminale në Mal të Zi, dhe ka qenë disa herë shënjestër e atentateve të ngjashme në Mal të Zi dhe Serbi.
Hetimet e autoriteteve po fokusohen te përplasjet e grupeve kriminale në rajon, që mendohet se qëndrojnë pas këtij sulmi. Kjo është hera e katërt që Ljubisa i shpëton një atentati të mirëorganizuar.