Marrëveshja e nënshkruar nga Kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku dhe ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka tronditur rëndë opozitën por dhe mazhorancën.
Monika Kryemadhi kryetare e LSI, Lulzim Basha kryetar i PD por dhe Edi Rama kryeministër e kryetar i PS janë të tmerruar nga startimi i kësaj marrëveshjeje të re, e cila realisht ka krijuar një Prokurori Speciale të përkohshme.
Në mungesë të konsensusit politik mes partive politike, ku opozita me të gjitha mënyrat po përpiqet për të vonuar, zvarritur dhe kaluar në kalendat greke krijimin e KLGJ dhe KLP dhe për pasojë dhe SPK dhe Byrosë së Hetimit, me “bekimin” e amerikanëve është gjetur një zgjidhje përtej politikës. Pas kësaj partitë politike le të vijojnë të mos gjejnë konsensusin, pasi kjo marrëveshje do të jetë jetëgjatë deri në momentin kur politika ti thërrasë mendjes dhe të krijojë institucionet.
Deri atëherë “SPAKU” i përkohshëm do të arrestojë “peshq të mëdhenj”.
Marrëveshja Marku-Xhafaj konkludon pikërisht në krijimin e një Prokurorie Speciale që do të arrestojë “peshqit e mëdhenj”.
Kështu, Prokuroria e Përgjithshme merr përsipër të krijojë seksione të posaçme të përkohshme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Fier, Korçë, Gjirokastër, Lezhë. Prokurorët që do të caktohen në këto Seksione të Posaçme do kalojnë paraprakisht një proces verifikimi të pasurisë e integritetit nga Prokuroria e Përgjithshme. Proces që do të realizohet në bashkëpunim me SHISH, ILDKPI dhe DSIK.
Brenda 5 ditëve, Prokuroria e Përgjithshme do të caktojë prokurorët në këto seksione ku një prej tyre do jetë drejtuesi, ndërsa në Prokurorinë e Përgjithshme do caktohet një prokuror/koordinator ndërmjet seksioneve të posaçme dhe Task-Force Speciale Qendrore. Madje, në marrëveshje thuhet më tej se për të shmangur nxjerrjen e sekretit hetimor, shërbimet e policisë gjyqësore do dërgojnë materialet në seksione në mënyrë të drejtpërdrejtë, jashtë shërbimit postar. Duke shmangur tërësisht Prokurorët e Berishës dhe të Metës tek krimet e rënda dhe duke eleminuar dhe zgjedhjen me short të prokurorëve për çështje të caktuara.
Bëhet e ditur se disa ish ministra do të jenë të parët ata që do të arrestohen. Bëhet fjalë për një ish ministër të PD gjatë qeverisjes së Berishës dhe një ish ministër të LSI në të dyja qeverisjet, atë të Berishës dhe të Ramës. Të parët pritet të bien në rrjetën e Prokurorisë së re speciale ish ministri i PD tek Ekonomia Genc Ruli dhe ish ministri i Transporteve i LSI Edmond Haxhinasto./Pamfleti.com