Pas lajmit të djeshëm për arritjen e marrëveshjes me Greqinë për Paktin Detar, pasi pala greke pranoi se ajo e bërë me Berishën ishte e gabuar në dëm të Shqipërisë, dalin në dritë detaje të reja.
Kështu duke u nisur nga parimi që grekët pohuan se në marrëveshejn e 2009 ishte përdorur “pjesërisht metodologji e gabuar”, veç llogaritjes së gjireve si të “mbyllura”, tashmë marrëveshja e re e detit parashikon ndarjen e hapësirës detare me parimin e vijës së mesit. Lajmi është bërë i ditur nga Top Channel që citon burimeve diplomatike në Athinë.
Ky parim do zbatohet në ngushticën mes dy vendeve, që është 1.8 milje detare, 0.6 milje i takojnë Shqipërisë, 0.6 milje Greqisë dhe 0.6 milje janë ujëra ndërkombëtare. Në pjesët e tjera aplikohet vija e mesit, duke llogaritur edhe një hapësirë për lundrim ndërkombëtar, distanca këto të bazuara në Konventën Ndërkombëtare të Detit.
Përsa i përket zgjatimit të sovranitetit grek me 12 milje, sikundër tha para dy javësh edhe ministri i Jashtem i Greqisë, Nikos Kotzias, ajo do të bëhet nga të dy vendet njëkohësisht. Në marrëveshjen mes dy vendeve, të përfunduar në Kretë, por të detajuar përfundimisht në Korçë sqarohet se llogaritja e 12 miljeve do të bëhet nga ishulli i fundit i banuar në 1913, periudhë që mes dy vendeve është caktuar një vijë e përafërt kufitare.
12 miljet greke do të aplikohen nga ishulli i Otonos dhe Mandraqi dhe jo nga fari i fundit në Veri, si në marrëveshjen e 2009. Marrëveshja do të bazohet në të drejtën ndërkombëtare të detit për përdorimin e fareve, sipas të cilës faret dhe shkëmbinjtë, ose ishujt ku ata janë ndërtuar, i jepen për administrim vendit që i ka ndërtuar.
Statusi territorial i këtyre fareve dhe i ujërave që i rrethojnë ata, nuk referon pikë nisjeje të 12 miljeve, ose vijës së mesit, siç ishte vendosur në marrëveshjen e 2009, me shkëmbin Bakreta në Ngushticën e Ksamilit, duke i dhënë Greqisë 3/4 e hapësirës detare. Pala greke thotë se me mënyrën e re të matjes dhe pikat referuese të vendosura nga Bushati dhe Kotzias në Kretë, Shqiperia rivendos sovranitetin në atë pjesë detare që humbi me marrëveshjen e 2009.
Nafta e gazi
Mes dy vendeve do të ripërcaktohet Zona Ekskluzive Ekonomike. Shqipëria do ta zgjerojë atë në drejtim të perëndimit drejt kuadrateve “Joni 1” dhe “Joni 2”, të cilat në bazë të marrëveshjes së 2009 i merrte Greqia. Studimet gjeologjike të kryera që në vitet 1960 prej gjeologëve rusë dhe shqiptarë, por edhe kërkimet e kryera në vitet 2013- 2015 prej kompanive norvegjeze, konfirmojnë se atje gjendet naftë dhe gaz, si vazhdim i fushës naftëmbajtëse Patos-Marinëz-Vlorë.
Burimet e sipërpërmendura thanë se Greqia dëshiron një zgjidhje sa më të shpejtë të çështjes, pasi dëshiron aplikimin e precedentit të përcaktimit detar me Shqipërinë ta përdorë si bazë në fazën përfundimtare të negociatave për përcaktimin e zonës ekskluzive ekonomike me Izraelin, Qipron, Libinë dhe Egjiptin. Ky precedent mund të përdoret politikisht prej saj në një negociim të mundshëm për kufirin detar me Turqinë për vendosjen e sovranitetit grek në Egje.
Marrëveshja për Pakti Detar mdiis dy vendeve referon një koordinatë për nisjen e punës edhe për kufirin tokësor. Greqia dhe Shqipëria nuk kanë ende një vijë kufitare të përcaktuar vetë, që prej vitit 1914, kur vija ekzistuese u vendos nga fuqitë e mëdha. Këtë vijë gjatë gjithë shekullit të XX Greqia e ka vënë në dyshim dhe një rikonfirmim zyrtar midis Shqipërisë e Greqisë do të ishte një hap i madh drejt stabilitetit.
Pakti i 2009
Në vitin 2009 Shqipëria dhe Greqia kanë nënshkruar Paktin Detar për të përcaktuar Zonat ekskluzive ekonomike. Nga pala shqiptare veç kryeministrit Sali Berisha ka qenë edhe ministri i jashtëm i asaj kohe Lulzim Basha, ndërsa nga pala greke kryeministri Kostas Karamanlis dhe ministria e Jashtme Doras Bakojanis.
Kjo marrëveshja u mbajt e fshehtë për nga aan e të dhënave të saj, por pak kohë pas firmosjes së saj mediat shqiptare e denoncuan atë duke nxjerrë shkeljet. Një rol shumë të madh për të sqaruar opinionin public në denoncimin e kësaj marrëveshje ka luajtur koloneli në lirim Myslim Pashaj. Koloneli Pashaj faktoi se ky pakt i jepte Greqisë shumë më tepër hapësirë detare nga sa i takonte, në kurriz të Shqipërisë.
Më pas Partia Socialiste e ka dërguar këtë marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese e cila e rrëzoi me lehtësi me rezultat unamim, pasi veç problematikave të lëshimit të hapësirës detare ndaj fqinjëve kishte edhe parregullsi ligjore, siç ishte mos marrja e autorizmit të plotfuqishmërisë nga Presidenti i Republikës.“Shqiptarja.com”