Anija e Marinës Ushtarake italiane “Cassiopea” me 49 emigrantë në bord, ka mbërritur në ujërat e Shëngjinit. Rreth orës 8 pritet të ankorohet në port.
Fillimisht emigrantët do t’i nënshtrohen procedurave të verifikimit dhe kontrollit shëndetësor në qendrën pritëse.
Pas këtyre proceduarave do të transferohen drejt Gjadrit.
Autoritetet portuale në Shëngjin ishin njoftuar se mjeti lundrues do vinte të hënën e 27 janarit, por për shkak të fluksit të emigrantëve të cilët janë shpëtuar në det, procedurat sollën vonesa.
Ky është operacioni i tretë për të strehuar e emigrantë në Gjadër, pasi 2 të parët dështuan.
Ka qenë anija “Libra” në dy rastet e mëparshme, në tetor dhe nëntor të vitit të kaluar, kur 20 azilkërkuesit e dërguar në qendrat e Shëngjinit dhe më pas të Gjadrit u liruan si pasojë e vendimeve të gjyqtarëve të Gjykatës së Romës që refuzuan paraburgimet.
Këtë herë qeveria shpreson për një rezultat më të mirë. Tani ata që do të vendosin nuk do të jenë më magjistratët e seksionit të emigracionit, por ata të Gjykatës së Apelit, siç parashikon ligji i ri i kërkuar nga ekzekutivi dhe që ka hyrë në fuqi më 11 janar.