“Për herë të parë kam marrë kërcënime me vdekje sepse kam nënshkruar protokollin e bashkëpunimit me Shqipërinë për emigracionin.”
Kështu ka deklaruar kryeministrja italiane Giorgia Meloni në një intervistë në televizionin publik Rai.
Kryeministrja italiane ka përsëritur se “Qendrat në Shqipëri do të funksionojnë” dhe sipas saj ato janë “gurthemeli në menaxhimin e flukseve të refugjatëve drejt Italisë”.
Meloni ka këmbëngulur se zgjidhja inovatore e Italisë ka surprizuar edhe shumë vende anëtare të BE-së dhe sipas kryeministres italiane kjo është arsyeja se pse marrëveshja merr kaq shumë vëmendje nga Unioni.
“Ka një agresivitet të shtuar së fundmi sepse strategjia e qeverisë po funksionon. Zbarkimet e refugjatëve janë ulur me 60% dhe riatdhesimet janë rritur me 30% në dy muajt e fundit. Askush nuk e kishte pritur një imapkt kaq të madh të kampeve në Shqipëri. Kjo ka krijuar probleme serioze për trafikantët e qenieve njerëzore, që më kanë kërcënuar me vdekje së fundmi”, ka treguar Meloni.
Pak ditë më parë Këshilli i Evropës argumentoi se në Itali policia është raciste, kështu që edhe Italia mund të konsiderohet e pasigurt.
E pyetur në lidhje me këtë, Meloni u përgjigj duke thënë se Italia i ka përmbushur të gjitha detyrimet, por nuk mund të bëhet tranziti i miliona njerëzve që duan të transferohen nga Azia dhe Afrika drejt vendeve të BE.
“Bangladeshi sot që flasim ka afro 175 milionë banorë… Egjipti ka 104 milionë banorë… Më falni, por kush mund të përballojë flukset gjithnjë e në rritje për të ardhmen? Natyrisht, Italia nuk është ndër ato vende që u thotë “mos hajdeni”, por duhet sipas rregullave dhe mundësive tona, përndryshe do jetë kaos”, ka deklaruar kryeministrja italiane.
Ndërkohë teksa qeveria italiane nuk vonoi të miratonte dekretin ‘Vendet e sigurta’, për të shpëtuar marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë nga ana e dy kryeministrave, Rama-Meloni, ka ardhur edhe kontestimi i parë i dekretit në Itali.
Gjykata e Bolonjës e referoi dekretin e qeverisë për vendet e sigurta në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, për të pyetur se cili është parametri me anë të të cilit identifikohen të ashtuquajturat ‘vende të sigurta’ dhe nëse parimi i epërsisë evropiane kërkon që të konsiderohet se në rast të një konflikti ndërmjet rregulloreve, mbizotëron ai komunitar.
Shtyrja, erdhi si pjesë e një apeli të paraqitur nga një azilkërkues nga Bangladeshi kundër komisionit territorial për njohjen e mbrojtjes.
Gjykatës Evropiane të Drejtësisë i kërkohet të shprehë urgjentisht mendimin e saj, ndër të tjera, për shkak të “rëndësisë së konfliktit të paprecedentë institucional në zhvillim”.
“Mendimi sipas të cilit aktet e përcaktimit si “akte të politikës së lartë”, hiqen nga shqyrtimi gjyqësor – thonë gjyqtarët – ka çuar në një krizë institucionale shumë të rëndë dhe të paprecedentë, e cila është raportuar gjerësisht në shtypin evropian.
Marrëveshja për një qendër procesimi emigrantësh në Gjadër u firmos në fillim të nëntorit të 2023 në Romë nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, pa transparencë dhe pa konsultim me Bashkimin Europian.
https://twitter.com/i/status/1851724148567085491