Qeveria ka marrë masat për të frenuar presionet, shantazhet dhe kërcënimet për gjyqtarët dhe prokurorët e thjeshtë. Sot togat e zeza nuk kanë asnjë siguri për jetën, pasi shpesh herë janë kërcënuar nga grupet kriminale dhe njerëz të veshur me pushtet. Pak ditë më parë qeveria miratoi një vendim, ku merrte në mbrojtje prokurorët dhe gjyqtarët e SPAK.
Ndërkohë që në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave janë miratuar edhe kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të thjeshtë. Sipas këtij vendimi, magjistratit i sigurohet mbrojtje e veçantë personale, e familjes dhe e pasurisë, sipas parashikimeve të këtij vendimi, kur, gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij, i rrezikohet jeta, shëndeti i tij dhe i familjes, si dhe pasuria. “Magjistratit i sigurohet mbrojtje e veçantë personale, e familjes dhe e pasurisë, sipas parashikimeve të këtij vendimi, kur, gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij, i rrezikohet jeta, shëndeti i tij dhe/ose e/i familjes, si dhe pasuria. Mbrojtje e veçantë i sigurohet edhe magjistratit që nuk e ushtron funksionin ose që ka dalë në pension, në rast se e kërkon, në rast cenimi për shkak të ushtrimit të mëparshëm të funksionit; Me mbrojtje të veçantë personale, të familjes dhe të pasurisë, sipas këtij vendimi, do të kuptohen masat me karakter organizativ e profesional, për sigurimin dhe ruajtjen e veçantë fizike, mbrojtjen e familjes e të pasurisë së magjistratit, si dhe masat e tjera, që lidhen me këtë mbrojtje”, thuhet në vendim.
Kushtet për të përfituar mbrojtje të veçantë
Në vendim thuhet se me mbrojtje të veçantë personale, të familjes dhe të pasurisë do të kuptohen masat me karakter organizativ e profesional, për sigurimin dhe ruajtjen e veçantë fizike, mbrojtjen e familjes e të pasurisë së magjistratit, si dhe masat e tjera, që lidhen me këtë mbrojtje. Për të përfituar nga ky vendim, duhet të ekzistojnë disa kushte specifike, si prania e rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën ose familjen e magjistratit. “Kushtet për të përfituar mbrojtje të veçantë janë, si më poshtë vijon: Prania e rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën, familjen ose pasurinë e magjistratit; Prania e lidhjes shkakësore ndërmjet rrethanave serioze dhe ushtrimit të funksionit ose ushtrimit të mëparshëm të funksionit nga magjistrati. Magjistratit i sigurohet mbrojtje e veçantë edhe në rast të pranisë së rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen ose pasurinë e magjistratit gjatë kohës që magjistrati ushtron funksionin e tij”, thuhet në vendim.
Kërkesa për mbrojtje i paraqitet KLGJ
Por përpara se një prokuror ose gjyqtar të merret në mbrojtje, duhet të bëhet një kërkesë e veçantë. Kështu në vendim thuhet se në rast se një magjistrati i kanoset jeta është KKLP dhe KLGJ, ato që kanë tagrin që të analizojnë situatën dhe japin vendimin për një nga rastet e sipër përmendura. Pra, pranë KLGJ dhe KLP ngrihet një komisioni i posaçëm brenda 48 orëve nga koha e kërkesës për mbrojtje, i cili më pas vendos për situatën. “Kërkesat për sigurimin e mbrojtjes ngrihet dhe funksionon pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, ose Komisioni për Mbrojtjen e Prokurorëve, i cili ngrihet dhe funksionon pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë; Kryetari, menjëherë pas marrjes së kërkesës për mbrojtje, njofton anëtarët e komisionit për mbledhjen e radhës. Komisioni duhet të mblidhet menjëherë dhe jo më vonë se 48 (dyzet e tetë) orë nga paraqitja e kërkesës; Komisioni merr në shqyrtim kërkesën e paraqitur dhe, kur bindet për nevojën e sigurimit të mbrojtjes për magjistratin, shprehet me vendim për të. Vendimi përmban masat konkrete të mbrojtjes së veçantë, numrin e shoqëruesve personalë, kur është rasti, afatin, brenda të cilit sigurohet mbrojtja, si dhe masa të tjera, që lidhen me këtë mbrojtje”, thuhet në VKM.
Rigels Seliman