Dymbëdhjetë persona, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur në pasditen e 1 janarit në Cetinje të Malit të Zi.
Sipas mediave vendase, i dyshuari për vrasje të shumëfishtë dhe plagosje, Aco Martinoviç, ka tentuar të bëjë vetëvrasje dhe ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.
Vrasjet kanë ndodhur në pesë vendodhje të ndryshme, në lokacionin e parë dhe të dytë janë vrarë katër persona, në të tretin dy fëmijë, ndërsa në lokacionin e katërt dhe të pestë nga një person.
Ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviç, ka thënë në një konferencë të jashtëzakonshme në mesnatë se motivi i vrasjeve është i panjohur, pasi në mesin e viktimave ishin miq dhe kumbara e Martinoviç.
Kryeministri malazez, Millojko Spajiç e ka përshkruar rastin si tragjedi të tmerrshme. Ai ka paralajmëruar ashpërsimin e kritereve për mbajtjen e armëve.
Sipas mediave Qeveria e Malit të Zi shpalli tre ditë zie kombëtare që nga e enjtja dhe të gjitha festat e Vitit të Ri janë anuluar në mbarë vendin.
Sulmi i të mërkurës në Cetinjë ndodhi pas një përleshje në një lokal. Autori i sulmit, 45 vjeçari Aco Martinoviç, vrau pronarin e barit, fëmijët dhe anëtarët e familjes së tij, sipas autoriteteve malazeze. Policia njofton se i dyshuari ishte dënuar në vitin 2005 për dhunë, por dënimi ishte pezulluar dhe se së fundmi ai kishte dërguar në gjykatën e apelit edhe një dënim tjetër për armëmbajtje pa leje.
Mediat vendase njoftojnë se sulmuesi njihej për sjellje të dhunshme. Autoritetet thanë se i dyshuari e kishte kaluar ditën e mërkurë në bar me disa të njohur të tjerë kur shpërtheu përleshja. Më pas, ai shkoi në shtëpi dhe u kthye sërish në lokal i armatosur, duke hapur zjarr ndaj të pranishmëve rreth orës 5.30 të pasdites. Prokurorja e Mali të Zi, Andrijana Nastiç tha se autori i sulmit i vrau viktimat në gjashtë pika të ndryshme.