Hetimi i të ngelurve në veting është një ndër 15 kushtet e BE për Shqipërinë. Në dhjetor mund të mbahet mbledhja e parë ndër qeveritare dhe do të bëhet një analizë e realizimit të këtyre kushteve. Për Brukselin ata që ngelin në veting nuk mund t’ia hedhin lehtë kaq kollaj.
Shumë emra kanë pasuri mbi 1 milion euro dhe tashmë që janë shkarkuar ata mund të shijojnë të lumtur pasuritë. Por për BE kjo nuk mund të ndodhë sepse kush ka pasuri të pajustifikuar duhet të ndëshkohet. Në Planin Kombëtar të Integrimit, jepen detaje mbi plotësimin e këtij kushti. Prokuroria dhe SPAK angazhohen që të nisin hetimet ndaj gjithë të ngelurve në veting.
Deri më tani janë rreth 100 gjyqtarë e prokurorë të ngelur në veting. “Progres me proceset gjyqësore kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të akuzuar për shkelje gjatë procesit të veting: Identifikimi i rasteve dhe ndjekja për secilin rast”, thuhet në plan. Gjatë mbledhjes që u mbajt të enjten, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha se po punohet për hetimin e emrave të ngelur në veting dhe po shqyrtohen dosjet për 23 emrat e parë, ndërsa më pas do të vijohet me emrat e tjerë. Në bazë të angazhimeve në planin e integrimit, për secilin rast do të nisë grumbullimi i dosjeve.
Rruga që do ndiqet
Momentalisht po hetohen 23 gjyqtarë e prokurorë, falë një padie penale të bërë nga një avokat. Por për emrat e tjerë duket se do të angazhohen dhe institucionet shtetërore. KPK dhe ILDKP kanë detyrim ligjor që të padisin këdo gjyqtar e prokuror që ka shkelur ligjin. Është neni 281 i Kodit të Procedurës Penale që detyron institucionet shtetërore që të kallëzojnë penalisht të gjithë ata persona, për të cilët kanë dijeni se kanë kryer vepër penale.
“Nëpunësit publikë, të cilët gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të funksioneve a të shërbimit të tyre, marrin dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht, detyrohen të bëjnë kallëzim me shkrim edhe kur nuk është individualizuar personi të cilit i atribuohet vepra penale. Kallëzimi i paraqitet prokurorit ose një oficeri të policisë gjyqësore. Kur, gjatë një procedimi civil ose administrativ, zbulohet një fakt që përbën vepër penale që ndiqet kryesisht, organi përkatës bën kallëzim te prokurori”, thuhet në Kod. Pra ligji detyron institucionet që të mos tolerojnë askënd.
Veprat penale
Gazeta ka kontrolluar të gjitha vendimet që ka zbardhur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ku tregohet qartë se pjesa dërrmuese e të përjashtuarve nga sistemi kanë kryer vepra penale. Përveç atyre që janë përjashtuar për kontakte me krimin apo aftësive profesionale, të gjithë që kanë ngelur për shkak të pasurisë kanë kryer krime.
Të gjithë këta rrezikojnë të akuzohen për fshehje dhe mosdeklarim të të ardhurave. “Refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë, interesave privatë të personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”, thuhet në nenin 257/a të Kodit Penal.
Po ashtu rezulton se disa kanë bërë falsifikim formulari, falsifikim dokumentesh dhe kanë kryer shkelje me kreditë. Disa kanë mashtruar bankat me kreditë, ndërsa disa kanë përfituar kredi të butë në shkelje të ligjit. Një pjesë rezulton se kanë kryer evazion fiskal, pasi duke mashtruar me sipërfaqet e pronave kanë shmangur taksat.
Sipas parashikimeve në Kodin Penal, mosdeklarimi i pasurisë apo deklarimi i rremë dënohet deri në 3 vite burg. Falsifikimi i formularit dënohet deri në 4 vite burg. Falsifikimi i dokumentit dënohet deri në 3 vite burg. Dhe mashtrimi me kredi dënohet deri në 7 vite burg. Pra ka emra që rrezikojnë deri në 17 vite dënim.