Mazhoranca qeverisëse duket se po i përgjigjet dhëmbë për dhëmbë presidentit Ilir Meta. Teksa ky i fundit çdo ditë kërcënon me ngritje të popullit kundër qeverisë, socialistët po punojnë në prapaskenë kundër tij. Edhe pse dje u mbyll sesioni parlamentar, Partia Socialiste nuk ka humbur asnjë minutë kohë mbi nismën e saj për të rrudhur kompetencat e presidentit Meta.
Dje në Kuvendin e Shqipërisë janë depozituar dy nismat e mazhorancës, sikundër është projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”. Këto ndryshime pritet të diskutohen në janar në komisionet parlamentare, duke treguar se mazhoranca është e vendosur për të nxjerrë jashtë loje Metën.
Parashikimet në ligj
Interesant është fakti se në ligjet e depozituara në Kuvend, të cilët rrudhin kompetencat e presidentit Ilir Meta, socialistët propozojnë që paragrafi i parë i nenit 8 të ligjit aktual për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të ndryshohet, duke i vënë presidentit një afat prej 10 ditësh për të ftuar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që të betohen në Presidencë dhe nëse kjo nuk ndodh, anëtari ja dërgon betimin të shkruar, sikundër bëri Arta Vorpsi. Sipas asaj që thuhet në draft, nga momenti që anëtari i Kushtetueses ia dërgon betimin me shkrim presidentit, quhet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Por përveç ndryshimeve në ligjin aktual për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, mazhoranca ka propozuar ndryshime edhe në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i dhënë zgjidhje së pari çështjes së SPAK.
Me ligjin aktual anëtarët e SPAK betohen tek Presidenti i Republikës, por me ndryshimet e reja që kanë bërë socialistët, prokurorët dhe gjyqtarët që do luftojnë korrupsionin nuk kanë nevojë të presin t’i thërrasë presidenti për betim, pasi kjo kompetencë i është hequr plotësisht Ilir Metës. Ndërkohë, ndryshime socialistët kanë bërë dhe sa i takon anëtarëve të Gjykatës së Lartë, teksa propozohet që këta gjyqtarë të betohen pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe jo pranë Presidentit të Republikës. Kjo do të thotë se në finale kur të miratohen këto ndryshime, presidenti Ilir Meta del jashtë loje, pasi nuk do të ketë më kompetenca si më parë.
PS e vendosur për të shkarkuar Metën
Por përveç rrudhjes së kompetencave dhe nxjerrjes jashtë loje të Presidentit të Republikës, socialistët janë të vendosur që ta shkarkojnë nga detyra presidentin Ilir Meta. Mazhoranca ka ngritur një komisionin hetimor për Metën, afat i cili përfundon në muajin prill të vitit që vjen, ndërkohë që dje në mbledhjen e grupit të PS mësohet se pjesë e diskutimit ka qenë pikërisht kjo çështje. Gazeta ka mësuar se mbledhja e grupit është drejtuar nga kreu i saj, Taulant Balla, i cili gjatë fjalës së tij është shprehur se mazhoranca është e vendosur për t’i shkuar deri në fund shkarkimit të Metës nga detyra, pasi sipas tij, ai ka shkelur Kushtetutën në disa raste. Po ashtu, mësohet se Balla është shprehur para ligjvënësve socialistë se mazhoranca qeverisëse është e vendosur për të zbatuar ligjin kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar, i njohur ndryshe si ligji “KÇK”. Ndërkohë, mësohet se deputeti Balla ka kërkuar nga deputetët që të jenë aktivë në komisionet parlamentare kur të diskutohen ndryshmet ligjore dhe kushtetuese që i rrudhin kompetencat presidentit Ilir Meta, sa i takon SPAK, Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. /Rigels Seliman