Nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba dhe anëtari Bledar Skënderi kanë thirrur mbledhjen e KQZ sot në orën 12:00, pas vendimit të presidentit Ilir Meta, për të anuluar zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Me mbledhjen e KQZ do të zyrtarizohet rruga që do të ndjekë mazhoranca, ndërkohë që dekreti i presidentit Meta ka mbërritur në këtë institucion.
Nëse KQZ do të vijojë punën, atëherë mazhoranca e quan “nul” dekretin e Metës për shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Presidenti Ilir Meta shpjegoi sot arsyet pse anuloi zgjedhjet e 30 qershorit. Në një deklaratë për mediat, Meta tha se kreu i shtetit nuk mund të lejonte zgjedhje farsë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës.
Ky vendim i Metës u mor ditën e shtunë pak para nisjes së protestës së opozitës për të sjellë ndryshimin e kursit të situatës politike në vend.
Opozita e përshëndeti këtë vendim, ndërkohë që PS ka nisur zyrtarisht procedurat për të shkarkuar Metën përmes një rezolute.