Reforma në drejtësi mbushi 5 vjet, por ajo është përballur dhe vijon të përballet me pengesa. Shumë politikanë nuk e duan zbatimin e saj.
Disa nuk e deklarojnë, ndërsa disa të tjerë e kanë shfaqur hapur irritimin me këtë reformë. Presidenti Ilir Meta është padyshim njëri prej tyre dhe faktet tregojnë se për më shumë se dy vite ka luftuar ashpër me organet e reja të drejtësisë.
Sipas të dhënave të siguruar nga gazeta janë rreth 15 letra që kreu i shteti ka dërguar sa i takon reformës në drejtësi. Shumica e këtyre letrave kanë shkuar për KED, KLGJ dhe disa organe të tjera. Përplasja më e madhe padyshim ka qenë me KED, në adresë të së cilës janë dërguar afro 7-8 letra shantazhuese e kërcënuese. Ndërhyrja më flagrante është ajo e datës 31 gusht 2019.
Në këtë datë, Meta i dërgoi një letër kreut të KED, Ardian Dvoranit ku i tërhiqte veshin për skualifikimin e Zhaklin Petos si kandidate për në Gjykatën Kushtetuese. Edhe pse ligji e përcakton fare qartë se presidenti hap garën vetëm për 3 vend vakante, ja çon emrat KED dhe më pas emëron një nga 3 të parët e renditur nga KED dhe nuk i takon asgjë tjetër.
Në datë 10 tetor 2019, Meta i kërkon sqarime Dvoranit nëse i kishte dërguar Kuvendit listën me kandidatët për në Kushtetuese. Më pas po me një letër kërkonte pezullimin e garës, duke i dhënë urdhër KED, ndërkohë që kemi të bëjmë me një institucion të pavarur.
Letrat më pas kanë vijuar dhe me Kuvendin dhe po me KED duke i bërë presione e shantazhe për çdo kandidaturë. Kulmi arrit në 2020, kur Meta i dërgon një letër KED ku kërkonte që të mos pranonte Dvoranin si anëtar, duke qenë se KLGJ e kaloi në Apel. Përmes një letre 14 fletë formati, presidenti vetëm kërcënonte, shantazhonte dhe paralajmëronte anëtarët e institucioneve të drejtësisë.
Përplasjet me KLGJ
KLGJ është një tjetër organ ku Meta ka vijuar me shantazhet. Janë 2-3 letra që i shkuan KLGJ sa i takon mandatit të Ardian Dvoranit. Fillimisht Meta kërkoi shkarkimin e tij, më pas i bënte presion KLGJ që të mos vononte procesin.
Në korrik të 2019, përmes një letre Meta i kërkonte KLGJ sqarime mbi procedurat për funksionimin e Gjykatës së Lartë. Tjetër rast kemi shkresën për Kodin Penal, ku Meta kërkonte sqarime mbi masat ndërgjegjësuese që ishin marrë për zbatimin e ndryshimeve në këtë kod, letër që shkonte dhe për KLP, SPAK, etj.
Të mos harrojmë ankesat që janë bërë në Komisionin e Venecias. Kur nisi procesi i shkarkimit të tij, Meta dërgoi një valë shkresash. Ndërkohë rasti më i fundit është një shkresë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ku Meta i kërkonte llogari se përse i dha të drejtë qeverisë në një padi që KLSH kishte bërë për ligjin e qeverisjes vendore.
Këto janë shkresa publike që mund të gjenden te faqja e Presidencës dhe institucioneve, por sipas burimeve mund të ketë dhe shumë shkresa që nuk janë bërë publike, çka tregon se Presidenti ka pasur një betejë të fortë me organet e reja të drejtësisë. Gazeta pasqyroi vetëm shkresat, pasi nëse marrim deklaratat dhe qëndrimet e Metës në media e Konferenca shtypi ato janë të pafundme. Presidenti nuk ka kursyer si Kushtetuesen, ashtu dhe SPAK, KLGJ, KLP dhe çdo organ tjetër të drejtësisë.