Autoritetet në Greqi kanë marrë masa të menjëhershme dhe kanë paralajmëruar banorët e ishullit të Santorinit të shmangin grumbullimet në ambiente të mbyllura, të mos qëndrojnë në banesa të vjetra dhe të mos bien në panik në rast të lëkundjeve sizmike. Ky mobilizim ka ardhur pas regjistrimit të mbi 200 lëkundjeve sizmike në 48 orët e fundit, që kanë shkaktuar shqetësim dhe panik tek qytetarët.
Aktiviteti sizmik në zonën e Santorinit dhe përreth ka shqetësuar autoritetet dhe shkencëtarët. Sipas vullkanologut të Autoritetit Helen të Kërkimeve Gjeologjike dhe Minierave, Georgios Vougioukalakis, zona po kalon një krizë sizmike, me mbi 200 lëkundje të regjistruara vetëm në 48 orët e fundit. Epiqendrat e këtyre tërmeteve janë kryesisht të vendosura në Anhidros, një ishull i pabanuar pranë Santorinit, që ka ngritur shqetësime për rrezikun e mundshëm.
Për të parandaluar situatat e panikut dhe për të garantuar sigurinë e banorëve, masat e sigurisë janë shtrirë edhe në ishujt fqinjë Amorgos, Anafi dhe Ios. Një nga masat e rëndësishme të rekomanduara nga ekspertët është evakuimi i pishinave në Caldera, pasi lëvizja e ujit gjatë tërmeteve të forta mund të shkaktojë dëmtime të strukturave dhe të rrisë rrezikun e shembjes.
Bashkia e Santorinit ka ngritur çadra në ambiente të hapura për të ofruar strehim për qytetarët dhe turistët. Pamjet e para nga përgatitjet për një tërmet të mundshëm janë publikuar nga mediat greke.
Aktiviteti sizmik vazhdon të jetë intensiv në zonën e Cyclades dhe autoritetet janë në gatishmëri. Profesori i Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore në Universitetin Kombëtar të Athinës, Efthimios Lekkas, ka mbërritur në ishull për të kryer një inspektim të zonës. Qytetarët janë këshilluar të mos banojnë në ndërtesa të vjetra, të shmangin bregdetin dhe të mos bien në panik, duke u bindur autoriteteve.
Ministria e Mbrojtjes Civile ka njoftuar se aktiviteti sizmik nuk është i lidhur me aktivitetin vullkanik dhe ka tendencë të tërhiqet, por ekspertët kanë propozuar masa paraprake, duke përfshirë mbylljen e shkollave më 3 shkurt. Gjithashtu, u është kërkuar qytetarëve të mos hyjnë ose qëndrojnë në portin e vogël të Ammoudi dhe portin e Fira, të cilët shërbejnë kryesisht për anijet turistike.