Nga Mero Baze
Ka ngjallur një debat të pazakontë dhe ka nxitur imagjinatën për dhjetëra teori konspiracioni fakti që Ilir Meta në festën zyrtare të SHBA mbajti fjalimin. Për 24 orë kam dëgjuar gjithë teoritë e mundshme për atë që ka ndodhur.
Kam dëgjuar që SHBA po përçan Berishën nga Meta, që Meta ka lobuar dhe ka paguar shumë para të rehabilitohet në SHBA para një muaji, që SHBA nuk do të hapë shumë fronte përveç atij të Berishës etj, dhe deri tek fakti që Meta nuk do të gjykohet më nga drejtësia e re, se e “ka mbyllur me SHBA”.
Nuk dua t’u hyj debateve qesharake që bëjnë histori me protokollin e shtetit, pasi një president që prodhon lajm vetëm se ka arritur të marrë pjesë dhe të flasë në festën e Ambasadës së SHBA në vendin e tij, është padiskutim presidenti me stekën më të ulët në botë të respektimit si institucion.
Ilir Meta është presidenti që nuk është ftuar nga asnjë vend perëndimor për pesë vite, dhe që dy vitet e fundit, asnjë zyrtar perëndimor apo nga SHBA nuk ka vizituar zyrën e tij, edhe kur objekti i vizitës ka qenë tërësisht politik dhe ka qenë e nevojshme të takoheshin me të.
Në fakt, nuk është se ka një strategji amerikane për të poshtëruar Ilir Metën deri në këtë pike, që ai është vet-poshtëruar në raport me SHBA. Vetë Ilir Meta për shkak të problemeve disa herë të dukshme psikike, ka dalë nga kontrolli dhe ka sulmuar si president i vendit SHBA, duke bërë krahasime banale dhe shpesh të rrezikshme me miqësi të tjera të mundshme të Shqipërisë me Rusinë apo Korenë e Veriut.