Bashkimi Europian brenda qershorit do të vendosë për hapjen e negociatave dhe për pasojë do të ketë një bilanc të kushteve të realizuara. Hetimet në nivele të larta dhe ngritja e Kushtetueses ishin kushtet kryesore, të cilat janë realizuar disi.
Por një nënkusht ishte dhe hetimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të ngelur në veting.
“Kuadri i negociatave duhet të miratohet nga Këshilli dhe duket të pasqyrojë faktin që Shqipëria i ka zbatuar me sukses pesë prioritete, të tilla si: nisjen e procedurave penale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë akuzuar gjatë procesit të vetingut për sjellje kriminale, nisjen e procedurave ndaj personave të akuzuar për blerje të votës, një goditje të dukshme të krimit të organizuar e korrupsionit në të gjitha nivelet, duke përfshirë nisjen e procedurave dhe plotësimin e procedimeve të para ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë e politikanëve, progres të dukshëm në reformën e administratës publike, zbatimin e reformës së ligjit elektoral”, ishin disa nga kushtet e BE.
Gazeta “SOT” ka siguruar listën me 123 gjyqtarë dhe prokurorë në vend, të cilët kanë ngelur në veting dhe për një pjesë të madhe të tyre kërkohet që të nisin hetimet. SPAK ka nisur procesin penal për 23 emra që janë anëtarë të Gjykatës së Lartë apo Kushtetuese, por për prokurorët dhe gjyqtarët e rretheve duhet të vihen në lëvizje prokuroritë e rretheve. Duke qenë se BE e ka si kusht, por edhe SHBA ka kërkuar që të ketë hetim, afrimi i qershorit pritet të shtojë presionin për vënien në lëvizje të gjykatave të rretheve.
Hetimet
Së pari është në dorë të prokurorisë të nisë hetime kryesisht. Prokuroritë aktuale, e sidomos ajo e Posaçme kanë të drejtë që në momentin që del publikisht se një funksionar ka shkelur ligjin të hetojnë. Kështu ndodhi me Admir Thanzën.
Sapo doli në media se ai kishte fshehur dënimin në Itali, prokuroria nisi hetimet. Nëse nuk ndodh kjo, është radha e kallëzimeve. KPK dhe ILDKP kanë detyrim ligjor që të padisin këdo gjyqtar e prokuror që ka shkelur ligjin.
Është neni 281 i Kodit të Procedurës Penale që detyron institucionet shtetërore që të kallëzojnë penalisht të gjithë ata persona, për të cilët kanë dijeni se kanë kryer vepër penale. Gazeta ka kontrolluar të gjitha vendimet që ka zbardhur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ku tregohet qartë se pjesa dërrmuese e të përjashtuarve nga sistemi kanë kryer vepra penale.
Përveç atyre që janë përjashtuar për kontakte me krimin apo aftësive profesionale, të gjithë që kanë ngelur për shkak të pasurisë kanë kryer krime. Të gjithë këta rrezikojnë të akuzohen për fshehje dhe mosdeklarim të të ardhurave.
“Refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë, interesave privatë të personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”, thuhet në nenin 257/a të Kodit Penal.
Po ashtu rezulton se disa kanë bërë falsifikim formulari, falsifikim dokumentesh dhe kanë kryer shkelje me kreditë. Disa kanë mashtruar bankat me kreditë, ndërsa disa kanë përfituar kredi të butë në shkelje të ligjit. Një pjesë rezulton se kanë kryer evazion fiskal, pasi duke mashtruar me sipërfaqet e pronave kanë shmangur taksat.
Sipas parashikimeve në Kodin Penal, mosdeklarimi i pasurisë apo deklarimi i rremë dënohet deri në 3 vite burg. Falsifikimi i formularit dënohet deri në 4 vite burg. Falsifikimi i dokumentit dënohet deri në 3 vite burg. Dhe mashtrimi me kredi dënohet deri në 7 vite burg. Pra ka emra që rrezikojnë deri në 17 vite dënim./Kliti Topalli