Gazetari Marin Mema së bashku me drejtuesin e “Rrënjë Shqiptare” Marko Kepi kanë mbledhur një shifër prej 1.6 milion dollarësh donacione, të cilat do të përdoren për rindërtimin e shtëpive që shkatërroi tërmeti i 26 nëntorit.
Në një intervistë të dhënë për “ABC News” gazetari tregoi se çdo investim do të bëhet transparente për publikun dhe se do të kontrollohet çdo fond tjetër. Momentalisht paratë nuk jamë tërhequr ende nga fundraising, pasi kërkohen disa procedura.
Ai theksoi se pasi të nisë ndërtimi i banesave, do të përpiqen të gjejnë ndërtues seriozë që u garantojnë cilësi.
Pjesë nga intervista:
Marin Mema: Kemi mbledhur bashkë Me Marko Kepin, drejtuesin e rrënjëve shqiptare, 1.6 milion dollarë, të cilat janë mbledhur me vetëm një thirrje dhe për rreth 72 orë.
Endri Xhafo: Ku gjenden paratë fizikisht?
Marin Mema: Tani janë në fundraising, sic funksionojnë donacionet përmes Facebook-ut, janë mbyllur si donacione dhe tashmë do të kalojnë në bankë. Ajo që është më transparentja këtu është që gjithçka do të bëhet përmes bankës.
Endri Xhafo: Nga të lindi ideja sepse ju jeni gazetar dhe njerëzit ju njohin për elementët dhe detajet historike që sjell në punën tënde në Shqipëria tjetër?
Marin Mema: Ne njihemi prej shumë kohësh, “Shqipëria tjetër” ka qenë dritarja e qartë dhe e hapur për të gjitha familjet në nevojë, për të gjithë problematikën që kanë patur zona të ndryshme në Shqipëri. Pra e kam patur pjesë timen gjatë gjithë kohës, pavarësisht se në një moment të caktuar bashkova Shqipërinë tjetër me gjurmë shqiptare por ajo që ndodhi në rastin konkret ishte diçka shumë e natyrshme, shumë njerëzore. Më erdhi në mendje që të gjithë ne duhet patjetër të reagonim.
Endri Xhafo: Kur e bëtë thirrjen?
Marin Mema: Disa orë pas tërmetit, në Facebook.
Endri Xhafo: Çfarë mendon se i shtyn njerëzit të të besojnë ty, 1.6 milion dollarë?
Marin Mema: Jam përpjekur gjithmonë që ta bëj punën e gazetarit me ndershmëri. Puna e gazetarit ka lidhje me njerëzit, me raportin njerëzor dhe se si afrohesh më ta. Nuk është vetëm çështje se mund ta bëj gjithkush, nëse një person ka treguar që është i ndershëm në raport me atë që bën mundet absolutisht ti besohet. Unë kam patur fatin dhe i falënderoj të gjithë ata që më kanë besuar, dhe prandaj unë sot jam në një pozicion të vështirë, sepse duhet të përvesh mëngët dhe të filloj nga puna për të çuar deri në fund këtë amanet, me aq sa kemi mundësi.
Endri Xhafo: 1.6 milion dollarë ju janë besuar ju dhe jo qeverisë, si ju bën të ndiheni për këtë, në një lloj kompeticioni me qeverinë?
Marin Mema: Jo kjo nuk është garë, nuk kam garë me askënd, në dhimbje nuk ka garë, në tragjedi nuk ka garë, ne thjesht do të përpiqemi të ndihmojmë sa më shumë të mundemi.
Endri Xhafo: Si e shihni Komitetin Kombëtar të Rindërtimit?
Marin Mema: E kam thënë edhe përpara se të ngrihej komiteti, kemi nevojë për koordinim. Koordinim por jo centralizim. Kemi absolutisht nevojë për koordinim sepse duhet të kuptojmë se ku do të kryhen këto investime. Ajo që unë kam dashur që të ndodhë këtë herë është që ne të ndryshojmë faqen e këtyre 30 viteve. Për herë të parë në një situatë të tillë, fondet të mos abuzohen për asnjë cent.