Kështu thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Jashtme britanike dërguar Radios Evropa e Lirë, në pyetjen nëse ky shtet do t’i heqë sanksionet ndaj kryetarit të Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur dhe anëtares Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës.
Përgjigja e Mbretërisë së Bashkuar vjen një ditë pasi Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja e Departamentit amerikan të Thesarit (OFAC), i hoqi nga lista e sanksioneve Dodikun, Cvijanoviqin, si dhe 48 anëtarë të tjerë të familjes së Dodikut, kompanitë e tyre dhe bashkëpunëtorët e afërt.
Në përgjigjen e Ministrisë së Jashtme thuhet se regjimi i sanksioneve të Mbretërisë së Bashkuar mundëson vendosjen e sanksioneve ndaj atyre që minojnë ose rrezikojnë sovranitetin, integritetin territorial, subjektivitetin ndërkombëtar ose rendin kushtetues të Bosnjë dhe Hercegovinës.
“Millorad Dodik dhe Zhelka Cvijanoviq vazhdojnë të jenë nën sanksione për shkak të veprimeve të tilla. Sanksionet kanë qëllimin e tyre.
Shpresojmë që Dodik dhe Cvijanoviq do të ndryshojnë kursin e tyre të deritanishëm dhe do të tregojnë përkushtim thelbësor ndaj respektimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit dhe institucioneve shtetërore të Bosnjë dhe Hercegovinës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Jashtme britanike.
 
			





