Institucionet e reja të drejtësisë kanë bërë gati terrenin për të nisur luftën kundër korrupsionit. Edhe pse reforma në drejtësi ka 3 vite që ka nisur, efektet e saj në nivel zyrtarësh, nuk janë ndjerë ende. Të gjithë sytë i kanë tek Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Brenda këtij muaji, SPAK do të jetë gati dhe shpresat për arrestimet janë në nivelet e larta, janë rritur.
Pas emërimit të 8 prokurorëve të SPAK, sot skadon afati për të kandiduar për postin e kreut të SPAK. Pas këtij hapi do të bëhet betimi i 8 prokurorëve të posaçëm dhe me 20 për ata nis puna. Por cili është roli dhe detyrat e kryeprokurorit të SPAK? Caktimi i çështjeve për secilin prokuror dhe përmirësimi i marrëdhënieve të punës mes SPAK dhe BKH janë pjesë e listës. “Është drejtues administrativ i punonjësve të Prokurorisë së Posaçme. Nuk i jep udhëzime një prokurori të posaçëm lidhur me thelbin e hetimeve apo çështjes penale të ndjekur prej tij; u cakton çështje prokurorëve të posaçëm bazuar në specializimin e tyre; koordinon punën e njësive që janë në kompetencë të tij me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, shërbimet e inteligjencës dhe autoritetet e tjera kompetente; i paraqet Ministrisë së Financave projektbuxhetin për SPAK dhe BKH.
Kryeprokurori i SPAK do të ketë edhe kontakte me Drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku do të ketë detyrë të përmirësojë marrëdhëniet e punës mes dy strukturave. Pas konsultimit me Drejtorin e BKH dhe mbledhjes së prokurorëve të posaçëm, nxjerr udhëzime të përgjithshme me shkrim për BKH, të cilat përmirësojnë marrëdhëniet e punës, efikasitetin apo garancitë mes dy strukturave; miraton rregulloret e nxjerra nga Drejtori i BKH”, thuhet në ligj.
Gati edhe Gjykata e Posaçme
Në një linjë me Prokurorinë e Posaçme do të jetë edhe Gjykata e Posaçme. Siç është thënë, më datën 20 dhjetor, nis puna në Prokurorinë e Posaçme, një ditë pas betimit të prokurorëve. Por, edhe në këtë datë do të nisë dhe funksionimi i Gjykatës së Posaçme. Detajet janë dhënë nga kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami në Komisionin për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e Zbatimit të Ligjit, “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”. Sipas saj, janë 19 gjyqtarë të Krimeve të Rënda që do emërohen në mënyrë të përkohshme te Gjykata Speciale.
“Për sa i përket ecurisë së ngritjes së Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe masave të deritanishme të ndërmarra nga KLGJ në këtë drejtim, kryetarja e KLGJ bëri me dije se Këshilli ka reaguar që në mbledhjet e para të tij, duke marrë një vendim lidhur me nisjen e procedurës për caktimin e përkohshëm të gjyqtarëve në gjykatën e posaçme. Për këtë qëllim, Këshilli ka miratuar një vendim, bazuar në parashikimet ligjore, sipas të cilit të gjithë gjyqtarët që caktohen në mënyrë të përkohshme duhet të shprehin interesin e tyre dhe të japin pëlqimin për kontrollin permanent, periodik të llogarive të tyre bankare por edhe të familjarëve, si dhe telekomunikimeve vetjake sipas parashikimeve ligjore.
Situata aktuale në Gjykatën e Shkallës së parë të Krimeve të Rënda janë në gjendje gatishmërie 13 gjyqtarë për tu caktuar përkohësisht në Gjykatën e Posaçme. Ky është një proces ku Këshilli ka qenë shumë i kujdesshëm për tu koordinuar me KLP, i cili duhet të ngrejë Prokurorinë e Posaçme”, thuhet në raport. /Ornela Çelpica