Mbyllet procesi gjyqësor për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla. Ditën e djeshme ishte seanca e fundit e paraqitjes së fakteve, ndërsa tani prokuroria do të japë pretencën dhe pasi të mbajë qëndrimin e saj pala mbrojtëse, do të merret vendimi për fatin e Llallës.
Dje u mbajt seanca e radhës ku Llalla u paraqit personalisht në proces. Si SPAK ashtu dhe Llalla kanë thirrur dëshmitarë dhe kanë dorëzuar fakte në trupën gjykuese për të vërtetuar pretendimet. Prokuroria e Posaçme pretendon se Llalla ka fshehur pasurinë më shumë se një herë, ndërsa ish-Kryeprokurori pretendon të kundërtën. Dje u vendos mbyllja e gjykimit dhe në seancën e radhës më 20 maj, prokuroria do të japë pretencën.
Sipas burimeve pritet që të kërkohet dënim me 2 vite burg dhe pezullim për 45 vite nga çdo funksion shtetëror. Gjyqi i Llallës ka pasur shumë surpriza, pasi fillimisht ish-Kryeprokurori kërkoi gjykim të shkurtuar dhe ajo u pranua. Kjo përshpejtoi procesin dhe prokuroria dha pretencën ku kërkoi po 2 vite burg dhe 5 vite pezullim. Ditën që pritej parashtrimi i palës mbrojtëse, Llalla u paraqit vetë në gjykatë dhe deklaroi se tërhiqej nga gjykimi i shkurtuar.
Kjo e ktheu gjykimin në proces normal. Llalla ka paraqitur prova e dëshmitarë ku pretendon se nuk ka kryer fshehje pasurie. Por prokuroria duket e vendosur në kërkesën e saj. Sipas burimeve, prokurorët janë të bindur se kemi fshehje pasurie në 3 raste dhe kërkohet dënim me 2 vite burg. Ndërkohë i gjithë procesi është monitoruar nga ekspertët e ambasadës amerikane. Duhet theksuar se Llalla është shpallur i padëshirueshëm nga Departamenti i Shteti dhe cilësohet si “peshk i madh”.
Dosja
Gazeta ka siguruar detaje nga dosja e prokurorisë, ku jepen fakte e argumente se përse sipas SPAK, Llalla ka fshehur pasurinë. Sipas prokurorisë, pak muaj para se të mbyllte mandatin si Kryeprokuror, ai ka bërë shumë lëvizje të dyshimta.
“Në datën 15 mars 2017, kur kishte hyrë në vitin e fundit të mandatit si Prokuror i Përgjithshëm, Llalla bleu nga G. B 12.300 metra katrorë tokë me 600 lekë metri katror, për 7.380.000 lekë. Shitësi e mbajti vetëm tre muaj tokën si pronar, pasi e kishte blerë në fund të dhjetorit 2016 për 2 milionë e 460 lekë. Brenda dy muajve pasi bleu këtë tokë, eksperti e rivlerëson këtë tokë me katërfishin e vlerës, pra me 2500 lekë metri katror dhe me vlerë përfundimtare 30.750.000 lekë.
E njëjta skemë përdoret edhe në blerjen vazhduese, ku në të njëjtën ditë, 15 mars 2017 ai bleu 3 mijë metra katrorë tokë për 1 milion e 800 mijë lekë, me çmimin e favorshëm 600 lekë metri katror. Toka sërish i blihet G.B. që sërish e kishte blerë për 600 mijë lekë tre muaj para shitjes kur ish-Prokurori i Përgjithshëm e rivlerësoi këtë pasuri, ajo vlente gati pesë fish dhe i shkoi çmimi në 7 milionë e 500 mijë lekë”, thuhet në dosje.
Verifikimet jashtë
Gruaja dhe fëmijët e ish-kryeprokurorit kanë jetuar për shumë kohë në Gjermani. Sipas dosjes, Llalla ka firmosur një kontratë qeraje me Nortbert dhe Gabriele Ochmann, ku bie dakord që në muaj do të paguajë 1175 euro qera. Kontrata ka pasur afat 1-vjeçar.
Sipas të dhënave të marra nga Berlini, Llalla i ka paguar menjëherë në dorë paratë për 1 vit qera. Pra ai u ka dhënë pronarëve të banesës 14.100 euro kesh. Por prokuroria ka ngritur dyshime këtu sepse Llalla në ILDKP ka deklaruar shpenzime për qera vetëm 7.050 euro, pra gjysmën e vlerës. Një tjetër aspekt i dyshimtë sipas organit të akuzës është ajo e shpenzimeve për shkollimin e fëmijëve në Bremen.
Sipas dosjes, për shkollimin e tyre në llogarinë bankare të shkollës janë derdhur 45 mijë euro nga shtetasja Sabine Jaekel Meyer. Sipas prokurorisë kjo shumë është dhënë nga Llalla. Po ashtu ka dhe raste të tjera që pretendohet se ka shkelje.