Ambasada amerikane në Kosovë ka reaguar në lidhje me mbylljen e 8 pikave serbe në veri të Kosovës.
Në një postim në rrjetin social X, ambasada amerikane shprehet e zhgënjyer me veprimet e njëanshme të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.
Deklarata:
Për Lirim të Menjëhershëm Qeveria e SHBA është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kundër degëve të postave serbe në veri të Kosovës.
Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.
Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.