Visar Zhiti, poet dhe shkrimtar i njohur, ish i burgosur i komunizmit, thotë se duke i hedhur atij prangat, Shqipëria burgosi veten e saj.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai thotë se ashtu si shumë bashkëvuajtës të tjerë, ka gjetur dosjen e tij që është plot me pseudonime të njerëzve të cilët e spiunuan dhe e burgosën vetëm e vetëm se kishte shkruar disa poezi.
Ai thotë se i di disa emra por se ka ndrojtje t’i thotë emrat e tyre dhe reciton një dyvargësh: “Në botën e rrëmujës dhe të vajit, vëllezër faljani vëllait”.
Ai tregon edhe bisedën me të birin kur ishte fëmijë dhe e kishte marrë vesh se kishte qenë në burg. Ai e kishte pyetur: “Baba ti ke qenë në burg? A shkojnë të këqinjtë në burg?”.
“Vuajtja na mëson të dimë të duam”, tha zoti Zhiti në intervistën me Ilir Ikonomi në një park të Uashingtonit.
Shkrimtari, i cili sapo ka përfunduar detyrën në Ambasadën e Shqipërisë në kryeqytetin amerikan, rrëfen vitet e tij të burgut, formimin si poet dhe ndjeshmëritë e jetës.