Është zbardhur dëshmia e 45-vjeçarit shqiptar që vrau bashkëkombësin e tij 50-vjeçar mesditën e së enjtes, jashtë karburantit në zonën e Analipsit në Selanik.
Përpara hetuesve autori është shprehur se nuk kishte asnjë motiv për të kryer vrasjen, por se e bëri atë për vetëmbrojtje.
“Nuk kisha asnjë motiv për të kryer vrasje. Kohët e fundit kam marrë kërcënime serioze për jetën nga viktima. Ndaj meje kanë ndodhur dy incidente të dhunshme nga viktima dhe jashtë karburantit jam sulmuar sërish nga viktima”, është shprehur autori.
Mediat greke shkruajnë se autori, i cili u dorëzua sot rreth orës 16:30, në prani të avokatit të tij, Thanasis Alexopoulos, ka treguar në polici se ku e ka lënë makinën që drejtonte pasditen e djeshme dhe ku ka lënë armën që ka përdorur për të vrarë viktimën.
Ndërkohë në video shihet viktima duke debatuar me drejtuesin e një automjeti dhe më pas tenton ta godasë me zinxhir. Më pas ai qëllohet me armë zjarri dhe bie në trotuar.
Sipas informacioneve, i akuzuari ka hematomë dhe të nxira në kokë nga sulmi i viktimës me sende të forta, jashtë pompës së benzinës dhe për këtë është urdhëruar ekspertiza.
“Me paralajmërimin se nga shkresat e çështjes del ajo që më thotë klienti im, deklaroj se kam marrë përsipër mbrojtjen e tij”, tha avokati, duke theksuar se 45-vjeçari nuk kishte ndërmend t’i shpëtonte arrestimit.