Kryeministri Edi Rama, në rubrikën e tij “Sy m’sy” në Facebook, ka ndërhyrë në një debat mes komentuesve mbi pagat në Greqi.
Një komentuese tha se fëmijët e shqiptarëve mbarojnë shkollën e lartë dhe largohen për në vendet skandinave, pasi “po të ishte mirë në Greqi do të punonin për 800 euro”. Një komentues tjetër i përgjigjej se kjo ishte gënjeshtër, pasi punonte çoban në Greqi me 1000 euro, me pronarin që i paguante shtëpinë.
Përgjigjja e Ramës ishte kjo: “Ka kohë që nuk ka më rroga 250 mijë lekë të vjetra në Shqipëri. E dyta, rroga është ajo që duket, por pas asaj ka edhe taksa. Dhe që ta dini, 57% e rrogave në Shqipëri nuk kanë asnjë taksë, ndërsa 36% e tyre kanë nga 4 deri në 10% taksë.
Vetëm rrogat mbi 1300 euro e kanë taksën mbi 10%. Në turizëm dhe ndërtim në Shqipëri, merr sa në Greqi dhe paguan më pak taksë. Ndërsa kur je jashtë qytetit tënd, edhe fjetjen, edhe ushqimin ta paguan kompania. Këto janë fakte dhe me këto shpjegohet edhe kthimi i atyre që kanë nisur të punojnë në turizëm sepse i del ku e ku më mirë. Nuk janë më kohërat që ishin.
Nuk është më njësoj bota, nuk është më njësoj Europa sot me atë që ishte deri dje dhe kostoja e jetesës në Europë është rritur aq shumë, sa nuk ka më kursime sa dikur. Prandaj, kushdo le t’i shohë mirë opsionet e veta dhe le të vendosë për t’u kthyer plotësisht apo pjesërisht.
Për pak vite do të jemi anëtarë të BE-së, gjithçka do të ndryshojë, por kush kthehet sot i jep vetes mundësinë që të fitojë më shumë përpara sesa me hyrjen në BE gjithçka të bëhet njësoj si kudo tjetër”.