Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se janë siguruar zyrtarisht 500 mijë dozat e para të vaksinës nga kompania Pfizer.
“Vaksina do të jetë falas dhe jo e detyrueshme, por pa dyshim është e këshillueshme për të gjithë si lufta e madhe për familjen, shoqërinë, shtetin. Sic e kemi thënë, vaksinimi do të nisë me bluzat e bardha, mësuesit, policinë në terren, moshat mbi 70 vjeç e më pas do të vijojë me moshat më të reja.
Më në fund kam arritur të fle dhe munda të jap sot në ditën e parë të Vitit të Ri këtë lajm për armatimin që do të asgjësojë armikun e padukshëm. Qoftë prova shembullore që më të keqen e kemi hedhur dhe më e mira është para nesh”, shkruan Rama.
“Kemi dakordësuar me akt normativ për autorizimin e kontratës sipas marrëveshjes së konfirmuar zyrtarisht nga Pfizer. Sasia e autorizuar menjëherë. 10750 dozat e para do mbërrijnë në Shqipëri në fillim të javës së tretë të janarit. Mbi 30 mijë doza të tjera në shkurt dhe të tjerat në muajt e tjerë.
Ky nuk është fundi i përpjekjes sonë për të garantuar që asnjë dozë e vaksinës të mos mungojë deri në fund. Do vazhdojmë të përpiqemi me këmbëngulje dhe pa pushim që plani i vaksinimit të vazhdojë sipas parashikimeve”.