Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, 12 shkurt, se duhet bërë diçka që u reziston kohërave referuar godinave apo infrastrukturës në tërësi për institucionet e drejtësisë.
“Është një financim i madh. Shpronësim, plus investim, gjithçka duhet për ta mobiluar etj etj.. Çdo prokuror e gjykatës do të ndihet njeriu më i nderuar kur hyn brenda, edhe kur sheh muret. T’ia thonë çdo mëngjes se je i privilegjuar nga ky shtet dhe kjo republikë sepse është privilegj për punën që bën. Nuk shpenzojmë asnjë lekë, por marrim më shumë hapësira për Gjykatën e Lartë. Është një gjë që do të diskutohet, duke marrë parasysh që nuk i kemi të pafundme pronat dhe mundësi, është parë si ky proces.
Normalisht pa tre vjet të mira, sigurisht që mes ditës së sotme dhe asaj që ne po projektojmë së bashku është një pesë vjeçar. Megjithatë është një projekt dinjitoz. Po mendojmë për Durrësin dhe Fierin.
Ndërkohë 92 magjistratë, gjyqtarë dhe prokurorë, që janë larguar përfundimisht nga sistemi prej vettingut, kanë përfituar në gjykatë administrative rreth 12 milionë euro të tjera trajtim financiar si paga kalimtare.
Duke përfituar nga hapësira ligjore që njeh të drejtën e një funksionari shtetëror të marrë rroga shtesë nëse hiqet nga puna apo i ulet niveli i pagës, ata kanë paditur Institutin e Sigurimeve Shoqërore, duke kërkuar sipas pozicioneve dhe vjetërsisë së punë nga 40 deri në 75% të pagës bruto, për një periudhë kohore 1 deri në 3 vite.
Ka qenë Kryeministri Rama ai që i denoncoi rastet përmes një postimi të ashpër në X.
LEXO EDHE:
Lorenc Vangjeli: Destabiliteti, kur interesi marton Ramën me Berishën
“A e dini se gjykatat kanë dhënë deri më tani 92 raste në favor të llumit të pastruar nga vetingu, duke u dhënë një trajtim financiar prej rreth 12 milionë Eurosh nga buxheti i shtetit – pra duke i trajtuar jo si fajtorë, po si viktima që duhen dëmshpërblyer?! Akoma më keq, këto vendime gjykatash janë dhënë me urdhër ekzekutimi pa marrë vendimi formë të prerë (në Gjykatën Administrative të Apelit), duke e detyruar ISSH-në që nga fondi i pensioneve të kryejë pagesat për shkak të vendimit me ekzekutim”,- shkruan Rama.
Kujtojmë se sipas ligjit të vettingut, të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që u shkarkuan fillimisht nga shkalla e parë e vettingut në KPK janë paguar për vite të tëra me 75% të pagës, edhe pse të pezulluar dhe nuk punonin asnjë ditë, në pritje të vendimit të formës së prerë në KPA.






