Si shija e prodhimeve shqiptare nuk ka. Ndaj dhe, që bujqësia është kthyer në trend dhe në një minierë ari kjo është e dukshme. Kjo, faktuar edhe nga shifrat në rritje.
Interesi i tregut evropian për fruta perimet shqiptare po vjen gjithnjë e në rritje, kjo falë shijes së mirë, cilësisë dhe standardeve që produktet shqiptare plotësojnë.
Perimet janë ato që i kanë dhënë shtysë shifrave të eksportit, duke shënuar rritje dyshifrore, ku janë edhe kryesuese në vlerë ndaj produkteve të tjera.
Në grupin e perimeve kryeson eksporti i domateve, kastravecave, specave, sallatës jeshile por edhe lakrës së bardhë etj.
Përsa i përket frutave, kryesojnë portokallet, luleshtrydhet, mollët etj.
Sipas të dhënave të AgroWeb.org, krahas prodhimeve tradicionale, shumë fermerë shqiptarë janë duke kultivuar varitete të reja perimesh dhe frutash me qëllim furnizimin tregun vendas e të huaj.
Vitet e fundit, shumë fermerë kanë pasuruar sipërfaqet e tyre me produktet që më parë vinin nga importi siç janë avokadot dhe kivit por edhe kultura të tjera.
Shifrat optimiste
Vitin që kaloi, eksportet e fruta perimeve arritën një shifër rekord me 14 për qind më shumë se importet e këtij grupi.
Sipas INSTAT, rritja me ritme dyshifrore vitet e fundit ka bërë që tregtia me jashtë në këto produkte të jetë më e lartë në 2017.
Po sipas INSTAT, eksportet e frutave dhe zarzavateve arritën në 9.6 miliardë lekë me një rritje 21 për qind krahasuar me vitin 2017.
Në pesë vitet e fundit eksportet e frutave dhe zarzavateve janë pesëfishuar, nga 1.8 miliardë lekë më 2012 në 9.6 mld lekë në 2017.
Perimet janë ato që i kanë dhënë shtysë shifrave të eksportit, duke shënuar rritje dyshifrore. Foto: Flickr
Interesi në rritje
Bujqësia dhe agro përpunimi janë sektorët që pritet të kenë një kontribut domethënës në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë (PBB). Këto dy sektorë konsiderohen të rëndësishëm edhe përsa i përket potencialit të madh të punësimit.
Partnerët kryesorë të Shqipërisë në eksportimin e produkteve agro-ushqimore janë vendet e Bashkimit Evropian, dhe veçanërisht Italia, Greqia dhe Gjermania.
Por aktualisht, sipas të dhënave të AgroWeb.org shumë vende të tjera Evropiane kanë kthyer sytë nga produktet shqiptare, duke kërkuar që ato të kenë standardet dhe çertifikimin e duhur.
Gjermania, Italia, Hollanda, Franca janë tepër të interesuar për të blerë prodhimet tona të freskëta, kryesisht domaten, specin, kastravecin, duke i ofruar sektorit të bujqësisë një domethënie më të madhe për rolin që ka si shtylla kryesore e ekonomisë sonë./AgroWeb.org