Një valë e nxehtë po i afrohet Evropës, sipas mediave të huaja. Meteorologët paralajmërojnë temperatura mbi 40 gradë dhe rekomandojnë të ndiqen udhëzimet.
Këtë javë, meteorologët kanë njoftuar ardhjen e valës së parë të nxehtë të verës që do të vijë nga Afrika dhe do sjellë temperatura të larta në pjesën më të madhe të Europës.
Ekspertët parashikojnë ardhjen e një mase shumë të ngrohtë të ajrit që vjen nga Afrika e Veriut nga e hëna e ardhshme dhe do të mbulojë një pjesë të mirë të Gadishullit Iberik, e temperaturat mund të arrijnë deri në 40ºC në Spanjë, në një episod që do të zgjasë deri të enjten. Po ashtu rrezikohet edhe Italia.
Por, çfarë e pret Shqipërinë?
Me një vlerësim paraprak, deri sot nuk ka sinjale për periudha të nxehta disa ditore gjatë pjesës së dytë të korrikut 2018 por edhe në 10 ditët e para të muajit gusht, përjashtuar ditë të veçanta ku termometri në zona të izoluara Jugore, mund të ngjitet në 35 – 36°C.
Edhe gjysma e parë e gushtit 2018, sjell kryesisht kthjellime dhe vranësira kalimtare ndërsa vranësira më të shpeshat dhe shira të përkohshëm do ketë ekstremi verior dhe zonat lindore.