Kryefjalë e mediave pak javë më parë u bë qëndrimi i Greqisë, e cila vendosi të bllokonte një letër nga 27 vendet anëtare drejtuar Komisionit të BE-së për hapjen e pesë kapitujve të parë të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Në lidhje me këtë “E Kathimerini” shkruan se janë duke u zhvilluar vazhdimisht konsultime diplomatike me Greqinë me qëllim që të pranojë të dërgojë një letër në emër të Këshillit Evropian në Tiranë, në mënyrë që Shqipëria të fillojë negociatat për grupin e parë të kapitujve të anëtarësimit në BE.
Media greke shkruan se Greqisë po i bëhet vazhdimisht presion nga zyrtarët e BE në lidhje me këtë çështje. ‘
“Kancelari gjerman Olaf Scholz ka deklaruar përmes kanaleve diplomatike se procesi i anëtarësimit nuk duhet të jetë një çështje dypalëshe. Madje, sipas një zyrtari evropian, edhe presidenca spanjolle e BE-së shfaqet veçanërisht e acaruar me qëndrimin e palës greke”, shkruan “E Kathimerini”.
Greqia nuk mundet, thanë burime diplomatike, të vazhdojë bllokimin e letrës në fjalë për një kohë të gjatë pas përfundimit të procesit të shqyrtimit të Shqipërisë.
Për shkak të kësaj, dhe në rast se përfundimisht vendos të dërgojë letrën e lartpërmendur nga Këshilli Evropian, Athina po shqyrton hapësirën për “bllokimin” e fazës tjetër të procesit përkatës, i cili përfshin një raport që përshkruan të gjitha standardet për atë që ka tashmë ose duhet të ishte përmbushur nga Tirana.
Greqia është zotuar të bllokojë aspiratat e Tiranës për në BE për sa kohë nuk zgjidhet çështja e kryebashkiakut Fredi Beleri, i burgosur që prej muajit maj për shit-blerje votash.