Sali Berisha vijon të ketë mbështetjen e mediave ruse në luftën që ka nisur me SHBA dhe Gorge Soros.
Letra e tij e pak ditëve më parë drejtuar Sekretarit Amerikan Blinken ka bërë jehonë në mediat ruse. Berisha në atë letër pretendon se ndaj tij nuk ka asnjë provë, ndërsa po ashtu ka përmendur gjithë bashkëpunimin me SHBA dhe nga ana tjetër kërcënoi se do të dekonspirojë operacionet sekrete të SHBA.
Si për koincidencë, rusët i kanë dalë sërish në krah. Me dhjetëra media ruse i kanë bërë jehonë letrës së tij.
“Ish-Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha akuzoi financierin amerikan George Soros për shpalljen e tij “non grata” nga SHBA. Ish-kreu i Shqipërisë, Sali Berisha publikoi një letër të hapur për Sekretarin e Shtetit të SHBA Anthony Blinken duke kërkuar që ai dhe të afërmit e tij të hiqen nga lista e personave “non grata” në Shtetet e Bashkuara.
Ai u deklarua i ndaluar nga Shtetet e Bashkuara në 19 maj 2021 për shkak të akuzave për korrupsion… Berisha i bëri thirrje Departamentit të Shtetit të zbulojë informacionet kundër tij. Ai akuzoi Soros për financimin e OJQ-ve që siguruan informacion në lidhje me akuzat për përfshirjen e tij në korrupsion kur ai mbante poste nga 1992 në 1997 dhe nga 2005 në 2013”, shkruan “tsargrad.tv”.
Po kjo media në artikullin që ka bërë i ka dalë në krah Berishës kur ky i fundit flet për ndryshim kufijsh. Sipas saj, SHBA dhe Soros po tentojnë krijimin e Shqipërisë së Madhe.
“Strukturat e Sorosit në vendet e Ballkanit po lobojnë për projektin e krijimit të një Shqipërie të Madhe, duke përfshirë shkëmbimin e territoreve me Serbinë, Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën dhe madje me Kroacinë”, thekson artikulli.
Alarmi nga Shqipëria e Madhe
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe portali “Katehon.com”, i cili duke u bazuar te deklarata e Berishës ngre alarmin për Shqipërinë e Madhe. Sipas saj, SHBA po mbështet një skenar të tillë.
“Meqenëse përmes strukturës së Soros në Beograd, projekti për shkëmbimin e territoreve midis Serbisë dhe Shqipërisë u lobua në mënyrë aktive (dhe vazhdon të lobohet), atëherë duke pasur parasysh aktivitetin e pakicës shqiptare në Maqedoninë fqinje, kjo tregon qartë simptomat e Shqipërisë së Madhe.
Për më tepër, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe madje Kroacia mund të vihen nën sulm nga riorganizimi, pasi ato janë gjithashtu pjesë e një grupi shtetesh të bashkuar nën një koncept të përbashkët të Ballkanit Perëndimor.
Kjo lëvizje e re promovohet në mënyrë aktive nga Perëndimi si një përcaktim specifik i rajonit”, thuhet më tej. Që pas shpalljes non grata të Berishës, mediat ruse kanë raportuar vazhdimisht në mbrojtje të tij. Jehonë kanë bërë dhe deklaratat e presidentit Meta në shumë raste.