Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni ndërkombëtar i koduar “DOBRA”, ku në pranga kanë rënë gjithsej 107 persona.
Mësohet se nga 107 personat e arrestuar, 60 prej tyre janë shqiptarë.
Kujtojmë që detaje të këtij operacioni, ku bazën e hetimeve e kishte në Madrid të Spanjës, u bënë për herë të parë publike sot.
Policia spanjolle, në bashkëpunim me atë shqiptare e gjermane, si dhe INTERPOL, prej një viti, gjurmonin dhe hetonin një organizatë të madhe droge, pjesë e së cilëve ishin shqiptarë dhe persona të etnive të tjera. Ata ishin shtrirë në pothuajse 50 shtëpi në zonat e kryeqytetit spanjoll.
Në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar gjithsej 1 ton drogë, e llojit kanabis. Sipas informacioneve, droga prodhohej e përpunohej në Spanjë, e destinacionin përfundimtar kishte Gjermaninë, ku dhe tregtohej.
Sakaq, kujtojmë se banda u pikas nga autoritetet për shkak të shpenzimit të tepërt të energjisë elektrike. Vetëm në një periudhë kohore prej 3 muajsh, në total ata kishin shpenzuar rreth 6 mln euro energji.