Vazhdimi i krimit ushqimor nga firma “Gjirofarm Sh.A”, duke prodhuar bulmetra me përbërës kimik, qumësht pluhur, niseshte, vaj palme, infeksion “Alfatoksinë” e së fundi dhe me përmbajtje fekale, vërtetë nuk është përgjegjësi e drejtores së re të AKU, Jeta Deda, të emëruar më 20 dhjetor 2021, por e 5 ish-drejtorëve në këto 8 vite, që e kanë lejuar kundrejt pazareve.
Mirëpo detyrim i saj ligjor, është ta gjobisë jo simbolikisht me 1 milionë të vjetra, por sipas ligjit me 30-50 milionë lekë; dhe t’i bllokojë përgjithnjë aktivitetin kësaj firme e ta kallëzojë penalisht, për krim ushqimor sipas neneve 288 dhe 288/C të Kodit Penal.
Më 12 janar 2022, AKU deklaroi se ka pezulluar vetëm prodhimin e produkteve kos e salcë-kosi nga fabrika “Gjirofarm Sh.A” në Vrisera të Gjirokastrës, ndërkohë që duhet të bllokonte krejt fabrikën dhe magazinat e saj me shirit policie “Zonë krimi”, sepse depot janë plotë me bulmetra me fekale dhe është ndotur gjithë linja e prodhimit.
Mirëpo siç duket, 3 bosët Piro Karanxha, Nikolla Gjoni e greku Antonios Ouzas dhe “punët e pista” të firmës “Gjirofarm”, janë lidhur aq fortë me bosët e pushtetit, sa dhe drejtoresha e re e AKU, Jeta Deda, ish-këshilltare e Ramës, nuk guxoi ta bënte publik emrin e firmës.
Përveç krimit të bulmetrave me fekale, bosët e firmës “Gjirofarma”, bëjnë dhe një mashtrim penal, me origjinën e qumështit dhe nënprodukteve të tij që hedhin në treg.
Konkretisht, qumështi e disa produkte që shiten në Shqipëri me etiketën “Gjirofarm” dhe reklamën e saj: “Qumësht natyral nga kullotat malore të Gjirokastrës”, faktikisht prodhohet dhe ambalazhohet në fabrikën e bulmetrave “AD IMLEK” në Beograd.
Këtë e fakton “Bar Kodi” i etiketës mbi ambalazhin me emrin “Gjirofarm”-Gjirokastër, ku thuhet se produktet janë të prodhuara e ambalazhuara në Beograd, nga firma serbe “AD IMLEK”.
Pra, firma serbe ka qumështin, përpunimin, ambalazhimin, origjinën dhe ekzkluzivitetin e prodhimit, ndërsa firma shqiptare “Gjirofram” e publikon në etiketë dhe e shet, sikur e ka prodhim të saj nga qumësht prodhim natyral i blegtorëve të Gjirokastrës.
Sipas këtij fakti, 3 pronarët e firmës “Gjirofarm” mund të dalin e të mashtrojnë, se gjoja qumështin e mbledhin nga blegtorët në Gjirokastër dhe e çojnë për përpunim e ambalazhim 960 kilometër larg në Beograd.
Pas plasjes së skandalit të fekaleve në kos, në redaksinë “Pamfleti” kanë ardhur në informacione për mashtrimin që bëhet dhe me produktin Salcë-Kosi, të cilin firma “Gjirofarm” e merr nga Kallpaqi i Janinës ku jeton ortaku grek Antonios Ouzas, por ua shesin shqiptarëve si prodhim nga qumësht natyral i Gjirokastrës.
Kundër këtij krimi ushqimor, nuk ka vepruar e nuk po vepron as Policia e Shtetit, ngaqë bosët e firmës “Gjirofram” kanë dhënë disa herë pako me bulmetra e ushqime për familjet e policëve të vrarë, për policët e varfër e madje dhe për efektivët “Shqiponja”, tamam si “Ndraghet’a” që i çonte djathë e mish Ardi Veliut.
Në vijim, do publikojmë fakte nga firma e tyre greko-shqiptare “Kimikal” në Tiranë, fijet e të cilave shkojnë deri te një nga bosët e hotel “Plazza” dhe ministrja Krifca e bujqësisë./Pamfleti