Nga Mero Baze
Votimet e sotme në degët e Partisë Demokratike në gjithë Shqipërinë për një listë kandidatësh të mundshëm për deputetë janë një skaner i dhimbshëm i situatës në të cilën ndodhet forca kryesore opozitare. Votimi u dominua nga vesi për të vjedhur apo blerë vota, vesi për të votuar idiotët e dobishëm dhe, mbi të gjitha, vesi për të depersonalizuar, përmes votimit, të gjithë ata që konsiderohen njerëz jo besnikë të Sali Berishës.
Edhe pse votimi ka vetëm 30% rëndësi, nëse ata do të bëhen apo jo deputetë – pasi 70% peshon vendimi i Sali Berishës – të gjitha veset u shfaqën edhe në këtë proces. Problemi i parë madhor i PD-së është pikërisht ai për të cilin ajo akuzon vazhdimisht kundërshtarët: vjedhja dhe blerja e votës.
Nga Saranda në Shkodër, kandidatët raportojnë masivisht për disa rivalë që kanë blerë dhe vjedhur vota për të dalë në krye të listës. Në disa raste, si ai i Balliut junior në Tiranë, situata ishte edhe më keq, pasi ai është nën akuzë se ka ndërruar dy kuti votimi ku ka dalë 98 për qind dhe në kutitë e tjera ka vota të papërfillshme. Ai është I fotografuar me “të fortët” e familjes Berisha, tek dera e qendrës së votimit.
Pra këta tre të parët e primareve të Tiranës ose kanë gjurmuar bastionet e tyre ose kanë blerë dy kuti siç ka bërë Balliu. Vetëm Alimehmeti dhe Tabaku kanë vota kapilare normale në gjithë njësit e kryeqytetit.
Pra, në një proces votimi krejtësisht të parëndësishëm në thelb, PD-ja arriti ta njollosë atë nga Konispoli në Tropojë, vetëm për shkak të vesit të saj për të vjedhur vota apo për të përdorur banditë dhe para për t’i fituar ato. Dhe kjo kundër njëri-tjetrit! Merreni me mend çfarë do t’i bënin Shqipërisë po t’ju lihej në dorë organizimi i zgjedhjeve!
Fenomeni i dytë është krijimi I një hierarkie mes idiotëve të PD. Përpjekja për të nxjerrë në krye të listave ose njerëz anonimë, ose idiotë të njohur botërisht si të tillë që nuk i bëjnë konkurrencë Flamur Nokës është e qartë.
Për shembull, ai ka mbikëqyrur me të fortët e familjes Berisha votat për Balliun, madje është nën akuzë se ka mbushur dy kuti për të, duke I ndërruar ato, ndërkohë që ka nxjerrë nga gara Floriana Garon në Durrës, duke porositur që të mos i jepet asnjë votë, pasi ajo i bën hije në krah të Berishës. Ndërsa Balliu i duket një shkallë më poshtë se ai dhe nuk e konsideron konkurrencë.
Madje, edhe më qartë lexohet porosia e tij tek eliminimi i kandidates Adriana Kalaja, e cila nuk ka lënë gjë pa sakrifikuar për PD-në dhe është e paqartë se çfarë duhet të bëjë më tepër që të fitojë votat e tyre. Tani ajo është militante ekstreme shumë herë më e aftë dhe e zgjuar se Balliu, kështu që po të jetë për militante I takon asaj. Dhe ky kontroll mbi idiotët që i duhen Flamur Nokës në PD është shumë i rëndë për të ardhmen e partisë, pasi tre të parët e listës së primareve në qarkun e Tiranës janë nën nivelin e një anëtari të Këshillit Bashkiak të Rrogozhinës. Dhe merreni me mend që këta më pas të konkurrojnë me pushtetin!
Por fenomeni më pervers i këtyre zgjedhjeve është ajo që Berisha bën gjithmonë: të gjithë ata që e kanë lodhur dhe e kanë vënë në pozitë të vështirë si njerëz jo besnikë me të, i ka masakruar, duke mos u dhënë asnjë votë dhe duke u treguar se ata janë tërësisht në dorën e tij.
Të gjithë figurat e grupit parlamentar apo drejtues të PD-së, të cilët kanë shfaqur lëkundje në raport me të gjatë krizës me Bashën, janë masakruar, duke mos marrë vota, dhe tani janë të detyruar të mbajnë shpresë se Berisha do t’ua falë dhe do t’i fusë në listë me kriteret e tjera të tij.
Pra, i gjithë procesi përfundoi duke shfaqur: veset e vjedhjes dhe blerjes së votës, veset e komandimit të votës mes besnikëve, duke krijuar hierarkinë e idiotëve që i duhen Berishës, dhe, mbi të gjitha, demonstrimin se votat janë në dorën e Berishës dhe ai nuk i fal ato për njerëzit jo besnikë ndaj tij.
Nëse ata duan të bëhen deputetë, duhet të bëjnë një marrëveshje të re me të.
Pas kësaj, Berisha është i lirë të hartojë një listë deputetësh besnikë, duke garantuar njerëzit që janë të sigurt se nuk do ta tradhtojnë, në listat e mbyllura, dhe të tjerët t’i vendosë në listat e hapura. Aty ku thuajse asnjë nuk ka shanse të behet deputetë.
Kjo tregon se çfarë do të thotë të lësh PD-në të bëjë zgjedhje. PD është si ata të vdekurit e balsamosur që po ranë në kontakt me oksigjenin shpërbehet për një minutë. /TEMA/