Suedia do të heqë dorë nga mos-rreshtimi ushtarak 200-vje?ar dhe do të aplikojë për t’u bashkuar me NATO-n, së bashku me fqinjin e saj, Finlandën, një lëvizje kjo që do të ndryshojë gjeopolitikën e Evropës dhe do të nënvizojë pasojat e padëshiruara të pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin.
Në një ditë të rëndësishme për kombet nordike, Finlanda tha se do të aplikonte zyrtarisht për anëtarësim në NATO në ditët në vijim, ndërsa socialdemokratët që janë në pushtet në Suedi thyen traditën dhe thanë se do të vepronin njësoj si Finlanda.
Kryeministrja suedeze Magdalena Andersson ka konfirmuar se Suedia do të aplikojë për anëtarësimin në NATO. Kjo lëvizje ka alarmuar Vladimir Putin, ku në Kremlin ditën e djeshme u kërcënuan deri aty sa u përmendën dhe armët atomike. Mirëpo, në kushtet kur kanë Rusinë përballë, dy shtetet baltike janë duke hasur edhe një lloj hezitimi nga Turqia.
Erdogan ishte i qartë dhe dje: Ankaraja nuk do të pranojë kurrë hyrjen e Suedisë dhe Finlandës në NATO. Dhe për të shprehur këtë koncept, lideri turk nuk ka grisur fjalët: “Turqia nuk do të heqë dorë nga pranimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO”, duke sqaruar se si të dy vendet kanë qëndrime “të paqarta” për terrorizmin.
Ekspertët vlerësojnë se më shumë se një veto, kundërshtimi i Turqisë është një reagim momental për të rritur peshën e saj në negociata në mënyrë që të shfrytëzojë nevojën e Suedisë dhe Finlandës për t’u bërë pjesë e NATO-s. Negociatat tashmë kanë nisur edhe gjasat janë që Turqia të ndërrojë kurs në vijim, nisur edhe nga kërcënimet se edhe mund të përjashtohet fare nga aleanca nëse mban një kurs të tillë kundërshtues ndaj prioriteteve të NATO-s.
Turqia kundër
Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka bërë të ditur dje se Turqia nuk do ta aprovojë anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, raporton Reuters. “Misionet diplomatike suedeze dhe finlandeze nuk e marrin mundimin që të udhëtojnë në Turqi që ta bindin Ankaranë që të aprovojë kërkesën e tyre,” citohet të ketë thënë presidenti turk në një konferencë për shtyp me homologun algjerian. “Para së gjithash, ne nuk do t’u thoshim ‘po’ atyre që vendosin sanksione ndaj Turqisë për t’u bashkuar me NATO-n, një organizatë e sigurisë, gjatë këtij procesi”, citohet të ketë thënë më tej Erdogan.
Sipas raportimeve, pas këtij qëndrimi nuk qëndron vetëm çështja e marrëdhënieve me Rusinë, por një çështje jashtëzakonisht e ndjeshme nga Ankaraja: mbështetja e lëvizjeve kurde. “Të dy vendet po u japin strehë shumë terroristëve,” tha troç Erdogan. Dhe shtoi: “Ne nuk duam të përsëritet i njëjti gabim i bërë me pranimin e Greqisë”. Ky lloj qëndrimi shkon më shumë Suedinë, e cila ka qenë gjithmonë mikpritëse për refugjatët politikë dhe ka mirëpritur një komunitet të madh kurd.
Kërcënimi rus
Lëvizja e Finlandës dhe Suedisë alarmoi Rusinë. Një skenar rrëqethës u shfaq nga ekranet e TV rus. Prezantuesi Dmitry Kiselyov, megafoni televiziv i Kremlinit, ka paralajmëruar hapjen e një skenari të ri bërthamor pikërisht në frontin Baltik. Lëvizja do të jetë një përgjigje e pashmangshme ndaj zgjerimit të aleancës Atlantike në atë zonë.
Përvoja nuk i ka mësuar asgjë NATO-s. Tani ata po tërheqin zvarrë Suedinë dhe Finlandën neutrale në bllokun e tyre. Është një rast tjetër i zgjerimit drejt lindjes , i cili do të kërkojë një reagim të fortë nga Rusia”, shpjegoi propagandisti shumë i afërt me Putin. A tha se nëse bazat e NATO-s të shfaqen në Suedi dhe Finlandë, Rusia nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të korrigjojë çekuilibrin dhe kërcënimin e ri duke vendosur armë taktike bërthamore në rajon.
Kiselyov përsëri përmendi rrezikun atomik, këtë herë duke iu referuar përdorimit të kokave të luftës që Moska mund t’i vendoste si parandalues apo edhe t’i përdorte nëse identifikoheshin kushtet për një kërcënim real ndaj sigurisë së Federatës Ruse.