- Tryezë e përbashkët për prezantimin e reduktimit të burokracive
Në ambientet e kryeministrisë u mbajt sot tryeza e përbashkët, ku të pranishëm ishin zv.kryeministrja Senida Mesi, ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, dhe ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, si dhe fermerë, sipërmarrës bujqësorë dhe operatorë turistikë. Në tryezë u diskutua për ecurinë e reformës së derregullimit, që ka në fokus uljen e burokracive që rëndojmë mbi qytetarët, bizneset dhe vetë administratën.
“Të vendosur për të çuar përpara reformën në shërbimet publike duke ulur ndjeshëm burokracinë që rëndon mbi qytetarin dhe sipërmarrjen”, e cilësoi kryeministri Rama këtë takim.
Kalimi në automatizimin e shërbimeve është kura më e frytshme për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur efektshmërinë, sepse shmang kontaktin e drejtpërdrejtë midis aktorëve që kanë interes.
Në fjalën e saj, zv. Kryeministrja e vuri theksin tek rëndësia e reduktimit dhe rishikimit të proceseve, dhe analiza që i bëhet sorollatjes së qytetarëve, fermerëve, apo bizneseve nëpër burokracitë institucionale.
Ministri Klosi u shpreh se “Brenda shkurtit lejet mjedisore do të jenë online. Madje edhe kontrolli do të jetë online transparent”.
Ndërsa në fjalën e tij, ministri i Bujqësisë Niko Peleshi theksoi se “Rezistenca që burokracia i bën një nisme është shumë herë më e madhe sesa i bën opozita. Prandaj kemi reduktuar në masën 63% të gjithë dokumentacionin, leje, licenca dhe vërtetime. Vitin tjetër aplikimet do të bëhen online nga shtëpia.”