Deklaratën e ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, avokat Spartak Ngjela e cilëson si një mesazh për presidentin Ilir Meta. Në prapavijë po luftohet fort që të futen gjyqtarët besnikë të politikës në Kushtetuese dhe kjo ka sjellë reagime të forta diplomatike.
Dje ambasadorja Kim ka lëshuar një tjetër mesazh, ndërsa ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të bëhet funksionale deri në fund të vitit. Por teksa ka bërë një analizë të gjatë në rrjetet sociale, avokat Ngjela është shprehur qartë se thirrja e ambasadores amerikane shkon për kreun e shtetit, në mënyrë që ky i fundit të mos bllokojë ngritjen e Kushtetueses. Madje, Ngjela shkoi më tej teksa theksoi se presidenti Meta po e bllokon qëllimisht Gjykatën Kushtetuese nga frika e shkarkimit.
“Autoriteti është vetia themelore në vendimmarrjen politike ndërkombëtare. Vetë historia e solli që uzurpimin e jetës shoqërore në Shqipëri nga korrupsioni i lartë, ta zhbënte, por me sistem të rregullt ligjor, politika amerikane. Çështja Llalla ishte fakti i parë ku, padrejtësinë e nisur në favor të korrupsionit, e bllokoi ambasadorja Yuri Kim. Në Tiranë, tani e më tej, derisa të fillojë punë Byroja Kombëtare e Hetimit, duhet të spikasë hapur autoriteti i ambasadores amerikane.
Ajo dhe sot foli sërish hapur, njëlloj sikurse foli në rastin Llalla, dhe e zgjidhi me sukses atë. Sot u kërkua prej saj, me afat, ngritja e Gjykatës Kushtetuese. Ajo hapur u shpreh që politika nuk duhet të fusë duart dhe vullnetin e saj në këtë Gjykatë. Pse e tha këtë? Sepse vetë shërbimet kanë të dhëna që të gjithë trazirën ne procedurën e kësaj gjykate e sjell Meta. Ai ka frikë mos shkarkohet si president për korrupsion apo shkelje të Kushtetutës dhe kërkon që, këtë gjykatë kompetente për shkarkimin e tij, ta këtë të vetën”, shkruan ai.
Sekuestrim pasurie për Metën
Më tej gjatë analizës, avokat Spartak Ngjela ka paralajmëruar se shumë shpejt presidentit Ilir Meta do t’i sekuestrohet pasuria. I prerë dhe i qartë, avokat Ngjela shprehu bindjen se kreu i shtetit është në “luftë” me amerikanët, ndërsa theksoi se reforma në drejtësi është në kulmin e saj, pasi sipas tij, tani do të nisë me goditjen e korrupsionit në nivel të lartë, ku Meta është një nga subjektet e organeve të reja të drejtësisë. “Pikërisht për këtë është në luftë me politikën amerikane.
Sepse dallon se është i paaftë të kuptojë që nuk ka më të ardhme në këtë vend: duhet të dorëzojë të gjitha pronat e paligjshme, sido që i ka shkruar dhe kudo ku i ka dhënë. Mendja e ngushtë, gjithmonë sheh interesin e vet: kur është në qeverisje, ajo vjedh dhe kur është nën akuzë, çmendet. Është e kuptuar tani që jemi në metrat e fundit të maratonës së reformës në drejtësi dhe fillimit të reformës antikorrupsion.
Pikërisht në këtë kohë duhet autoriteti i politikës amerikane. Kjo sepse, organet e hetimit dhe të gjykimit do të jenë nën trysninë e politikës së lartë dhe sidomos të Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Prandaj është i domosdoshëm roli i drejtpërdrejtë dhe jo diplomatik i ambasadores Yuri Kim”, u shpreh ai. Ndërkohë, avokat Spartak Ngjela theksoi se të vetmit që kanë fuqinë për të likuiduar të korruptuarit në Shqipëri janë amerikanët, të cilët sipas tij, do të mbështesin fort reformën në drejtësi dhe organet e reja të saj.
Sipas avokat Ngjelës, sytë e qytetarëve të Shqipërisë janë tek ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, të cilësi i besojnë fort. “Kjo është arsyeja që sytë e shqiptarëve sot janë kthyer nga ambasadorja Yuri Kim. Është intuita shqiptare që e ka kapur, se askush veç politikës amerikane nuk ka forcë që të likuidojë bandën e madhe të korrupsionit në Shqipëri. Po kjo tani nuk është më vetëm intuitë popullore, por edhe një fakt real që po spikat përditë”, nënvizoi avokat Ngjela.