Presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë nisur tentativat për të marrë në dorë luftën ndaj qeverisë. Deri më tani në krye të betejave ka qenë lideri demokrat Lulzim Basha, por me plot gojë mund të thuhet se çdo aksion i PD-LSI ka dështuar. Qeveria vijon të jetë në këmbë, ndërkohë që të gjithë ndërkombëtarët janë njëzëri kundër djegies së mandateve, bojkotit të zgjedhjeve dhe sulmeve ndaj institucioneve.
Por ky dështim nuk është kapërdirë nga dyshja Meta-Berisha, të cilët kanë nisur lëvizjet për të spostuar Bashën dhe të marrin ata në dorë situatën. Nga dita në ditë po jepen sinjale se shumë shpejt do kemi një aleancë te re mes Metës e Berishës. Pak ditë më parë në media u publikua një foto ku Meta e Berisha kishin ngrënë për 5 orë një drekë bashkë.
Por ky nuk është takimi i vetëm, pasi sipas informacioneve, kontaktet mes tyre janë të vazhdueshme. Në PD kemi një ndarje shumë të fortë. Basha javët e fundit ka dhënë sinjale se nuk po i bindet Berishës, pasi ka 2 protesta që janë shumë të qeta, edhe pse ish-kryeministri në çdo media e rrjet social trumbeton përplasjen civile. Por kjo nuk është kapërdirë nga Berisha dhe kjo tregohet shume qartë.
Deputetë pranë tij bëjnë thirrje për revolucion e përplasje. Emra si Flamur Noka, Edi Paloka, Edmond Spaho, Albana Vokshi apo Gent Strazimiri, në çdo intervistë kanë paralajmëruar përplasje deri në rrëzimin e Ramës. Por në lojë ka hyrë dhe Ilir Meta. Edhe ai ka aktivizuar emrat pranë tij për t’i bërë presion Bashës për të futur në kaos vendin. Emra si Petrit Vaisli, Ylli Manjani, Endrit Braimllari, Erisa Xhixho, Kejdi Mehmetaj apo Floida Kërpaçi, po ashtu në çdo dalje flasin për tensione e kaos.
Ndërkohë që, emrat besnikë të Bashës janë shumë më të tërhequr, ndërsa dhe në LSI emra si Luan Rama, Vangjel Tavo, etj., janë më të heshtur. Pra nëse shihet me kujdes, në çdo deklaratë, Meta e Berisha janë në unison. Presidenti sulmon qeverinë, ku edhe dje për pak e bëri fajtore për tërmetin në Korçë. Panorama është e qartë, Berisha e Meta kanë filluar të marrin në dorë situatën, duke vënë fillimisht njerëzit pranë tyre në lëvizje. Por gazeta ka mësuar që pas zgjedhjeve të 30 qershorit, pritet që të kemi një aleancë të re mes tyre. Në 2009 u bënë bashkë dhe e njëjta gjë pritet të ndodhë pas zgjedhjeve vendore.
Lëvizjet e Metës dhe Berishës
Të vetmit që flasin në media për rikthim të 1997 janë Meta dhe Berisha. Askush tjetër nuk e përmend, vetëm ata të dy e paralajmërojnë futjen e vendit në kaos. Në dispozicion kanë vënë dhe mediat pranë tyre. Në korridoret mediatike flitet çdo ditë se shumë gazeta, radio e televizione financohen nga Meta. Po ashtu dhe Berisha ka portale e media të tjera në shërbim të tij.
Por, këto televizione e media kanë të ardhura financiare të dyshimta. Nga një monitorim i thjeshtë, rezulton se këto media janë vënë në dispozicion të dyshes Meta-Berisha për të sulmuar qeverinë. pra të dy po e përgatisin terrenin për të marrë në dorë situatën. Në 2017 Basha arriti të bënte në pakt me Ramën, duke i dhënë goditje të fortë LSI. Por sivjet Meta e Berisha e dinin se mund të përsëritej 17 maji dhe i paraprinë.
Ndaj Bashës ka pasur presione të vazhdueshme nga Kryemadhi e Berisha që të mos ketë pakt, ndërkohë vetë Meta refuzoi të ulë palët në tryezë. Por takimi i pak ditëve më parë mes tyre, tregon qartë se Meta e Berisha janë bashkë dhe tani pritet të vënë në zbatim planin “B” të tyre. Gazeta kohë më parë e paralajmëroi se Berisha ja kishte bërë të qartë Bashës se nëse dështon përballë Ramës, do futet në lojë Meta. Sinjalet po jepen.
Sipas burimeve, Basha pritet të jetë në testim deri më 30 qershor dhe nëse zgjedhjet kalojnë pa incidente, prite që situatën ta marrin në dorë Meta e Berisha, për të futur në kaos vendin dhe detyruar qeverinë të shkojë te zgjedhjet e parakohshme.
Kliti Topalli