Kompania “Meta” do të eleminojë rolin e verifikuesve të fakteve, në një përpjekje sipas tyre “për të ulur në mënyrë drastike censurën,” ndërsa do të rekomandojë më tepër përmbajtje politike në platformat e saj si Facebook, Instagram dhe Threads. Njoftimi u dha nga themeluesi i kompanisë, Mark Zuckerberg.
Përmes një video-mesazhi, Zuckerberg u zotua se do t’i japë prioritet fjalës së lirë pas kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa theksoi se do të niste “eleminimin e rolit të verifikuesve të fakteve për t’i zëvendësuar ata me shënime nga komuniteti,” një opsion i ngjashëm me atë që ofron platforma ‘X’ e Elon Musk.
‘X’ mbështetet tek mundësia që përdoruesit të shtojnë shënime për t’i dhënë më tepër kontekst postimeve që ngjallin kontestim.
Sipas Zuckerberg, “verifikuesit e fakteve të ‘Meta’-s kanë qenë më të njëanshëm politikisht se ç’duhet dhe më tepër e kanë dëmtuar besimin e njerëzve se sa e kanë shtuar atë.” Gjithashtu, ekipet e moderatorëve të kësaj kompanie do të shpërngulen nga Kalifornia në Teksas, ku “ka më pak shqetësim në lidhje me anshmërinë politike të ekipeve tona,” tha Zuckerberg. Ai pranoi se ndryshimet në mënyrën e filtrimit të përmbajtjes nënkuptojnë se kompania do ta ketë më të vështirë verifikimin e përmbajtjes problematike.
“Meta” ka mbi tre miliardë përdorues në të gjithë botën. Zuckerberg, në deklaratën e tij, u shpreh po ashtu se kompania “do të eleminojë një sërë kufizimesh në lidhje me tema si emigracioni dhe gjinia, të cilat kanë humbur lidhjen me diskursin e përgjithshëm publik” dhe “do të punojë me Presidentin Trump për të ushtruar trysni kundër qeverive të ndryshme që iu janë kundërvënë kompanive amerikane.”
Zuckerberg citoi Europën si një nga vendet me një numër gjithmonë në rritje të ligjeve që institucionalizojnë censurën dhe vështirësojnë inovacioni, ndërsa u shpreh se “shtetet e Amerikës Latine kanë gjykata sekrete, të cilat mund të urdhërojnë kompanitë të censurojnë përmbajtjet e tyre në heshtje.”
Njoftimi vjen vetëm pak ditë pasi Nick Clegg, ish Zv. Kryeminstri britanik, dha dorëheqjen nga posti i tij si President i Marrëdhënieve Globale të “Meta”-s, për t’u zëvendësuar nga republikani Joel Kaplan.
Në deklaratën e tij pesë minutëshe, Zuckerbeg tha: “Qeveritë dhe media tradicionale po përpiqen gjithmonë e më tepër të censuorjnë. Pjesa dërrmuese e këtyre përpjekjeve janë politike, ndonëse ekzistojnë vërtet edhe mjaft gjëra të këqija në këtë ambient, si droga, teorrizmi dhe shfrytëzimi i fëmijëve. Këto janë gjëra që ne i marrim shumë seriozisht dhe dua t’iu garantoj se i trajtojmë me përgjegjshmëri.”
“Për këtë arsye, ne kemi ngritur një sërë sistemesh komplekse për moderimin e përmbajtjes, por problemi me sisteme të tilla është se bëjnë edhe gabime. Edhe nëse ato censurojnë qoftë dge 1% të postimeve, kjo nënkutpon censurim të miliona njerëzve dhe tashmë kemi arritur në pikën ku po përballemi me shumë gabime dhe shumë censurë. Gjithashtu, duket sikur zgjedhjet e fundit përbëjnë një pikë kthese drejt dhënies prioritet fjalës së lirë.”
Zuckerberg tha se heqja e kufizimeve të përmbajtjes në lidhje me tema si emigracioni dhe gjinia do t’iu “garantonte njerëzve mundësinë të ndanin besimet dhe eksperiencat e tyre në platformat tona.” Nga ana tjetër, ai shtoi se fokusi i filtrave që deri tani përdoreshin për filtrimin e përmbajtjes politike do të kalojë në kufizimin e përmbajtjeve të paligjshme, apo shkeljeve të rënda. (The Guardian)