Presidenti Ilir Meta teksa ka zbardhur takimin e tij me ambasadoren e Francës Sh.S.Znj Christina Vasak, e cila përfundoi misionin e saj në Shqipëri, ka dhënë një mesazh të koduar për politikën shqiptare.
Meta teksa sulmon Kuvendin,thekson se po i jep edhe një mundësi parlamentit njëpartiak, siç shkruan ai, që të respektojë marrëveshjen e 5 qershorit, pasi përndryshe rrezikojmë hapjen e negociatave për hyrjen në BE.
Postimi i plotë:
Me rastin e përfundimit të misionit në Shqipëri, prita në një takim, Ambasadoren e Francës, Sh.S.Znj Christina Vasak.
Vlerësova rolin e saj aktiv për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, dhe për mbështetjen e sinqertë ndaj procesit të integrimit europian të vendit tonë.
Duke e falenderuar për kontributin thelbësor të Francës në avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, konfirmova se vendimi politik i Këshillit Europian i marsit për çeljen e negociatave të anëtarësimit është një mundësi historike për vendin tonë.
Theksova se, fatkeqësisht, Shqipëria është ende shumë larg përmbushjes së kushteve që kërkohen për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, me shkeljen brutale dhe të njëanshme nga ana e mazhorancës së Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit.
Por unë do t’i jap edhe një mundësi të fundit Parlamentit njëpartiak për të respektuar Marrëveshjen pas kërkesës publike të Partisë Popullore Europiane.
Shpreha besimin se hyrja në fuqi e Marrëveshjes me Agjencinë Franceze të Zhvillimit (AFD), do t’i japë një shtysë të rëndësishme projekteve zhvillimore në Shqipëri, si dhe do të rrisë interesimin për prani më të madhe ekonomike të Francës në Shqipëri.