Presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë intesifikuar përpjekjet për të bllokuar ndryshimin e kufijve Kosovë-Serbi. Berisha ka thirrur dje në një takim kreun e Komunës së Mitrovicës, ku ka tentuar ta bindë të mos pranojë skenarin e Thaçit. Ndërkohë Meta është vënë në lëvizje bashkë me Zonjën e Parë, Monika Kryemadhi.
Teksa për dy javë të dy postonin në rrjetet sociale foto individuale nga malet e Kosovës, dje e pranuan se ishin bashkë aty. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Meta deklaroi dje se i mbylli pushimet në Prevallë, por që më tepër se pushime duket kjo vizitë ka lidhje me idenë e Hashim Thaçit. Meta nuk ka folur ende publikisht nëse duhet apo jo të ndryshojë kufijtë. Por hapur ka dalë Petrit Vasili, njeriu më i besuar i Presidentit, ndërkohë vetë Meta pak ditë më parë deklaroi se mbështet bashkëjetesën mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.
Por gazeta ka mësuar se Meta bashkë me Ramush Haradinjan dhe Monika Kryemadhin kanë lobuar fort që të mos realizohet skenari i paraqitur nga Hashim Thaçi. Teksa Meta e Kryemadhi lobonin në Kosovë, Berisha ka vijuar tentativat nga Tirana. Ai ka zhvilluar takime me eksponentë të Luginës së Preshevës dhe të Mitrovicë, duke kërkuar që të mos ketë asnjë ndryshim kufijsh. Por duket se kjo treshe po del kundër SHBA e BE dhe po rreshtohet krah Moskës. Deri më tani Rusia e Gjermania janë skeptike, pasi vetë Komisioni Europian ka dalë pro, ndërsa dhe SHBA po ashtu.
Por edhe pse amerikanët janë treguar të kujdesshëm duke thënë se duan që gjithçka të bëhet me marrëveshje, duket se mbështesin të gjitha idetë e Thaçit dhe të Vuçiç. Grupit i është bashkuar dhe Haradinaj, i cili njihet si shumë pranë Ilir Metës. Pro sinjalet janë se politika e Trump është të ndryshojë situatën në Ballkan. Thaçi e tha pak ditë më parë se pas korrigjimit të kufijve Beogradi do e njohë Kosovën. Edhe vetë Vuçiç ka lënë të nënkuptohet se do të ndodhë diçka e tillë. Po ashtu SHBA solli bazën e NATO në vendin tonë, duke treguar se shqiptarët do jenë kryesorët. Por deri më tani vetëm Meta, Berisha e Kryemadhi janë ata që po dalin kundër.