Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka dërguar një mesazh ngushëllimi homologut grek Prokopis Pavlopoulos, pas zjarreve që kanë përfshirë periferinë e Athinës, ku deri tani numri i viktimave ka shkuar në 56. Meta shprehet i tronditur dhe shpreh ngushëllime për familjarët e viktimave.
Mesazhi i Metës:
Zoti President,
Me ankth e shqetësim të madh po ndjek përhapjen dhe dëmet që po shkaktojnë zjarret e furishme që kanë rënë përqark Athinës.
Jam shumë i tronditur nga viktimat në njerëz dhe i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve e të dashurve të tyre. Të lënduarve i uroj shërim sa më të shpejtë.
Lutem që të mos ketë viktima të tjera në njerëz dhe që zjarret e egra të vihen shpejt nën kontroll nga autoritetet zjarrëfikëse greke.
Ju siguroj se, në këto momente të vështira, unë dhe populli shqiptar jemi krah jush dhe qytetarëve të Athinës e të gjithë Greqisë.