Ashtu siç kishte premtuar, Meta ka nisur një sulm në front të gjerë ndaj Ramës tashmë në kushte opozitare, pa fije pushteti, që është në fakt vijim i një Presidencë 5-vjeçare të paprecedent në luftë me qeverinë.
Sulmi është i pamëshirshëm, jo thjesht i ashpër por dhe vulgar, me një Metë që qysh në Presidencë u shpërfaq me një lloj sjellje të panjohur më parë prej tij – gjeste dhe shprehje – në kufijtë e idiotizmit politik padyshim, por dhe njerëzor.
Tashmë dhe tani është në këtë vazhdë, duke u bërë lajm çdo ditë me kapërcim kufijsh në llojin e zhargonit që përdor ndaj kryeministrit, më shumë se i rëndomtë, banal. Dhe ndoshta s’e kupton se kështu do ia shtojë dhe më kuotat elektorale armikut të tij, në mos t’ja mbajë të pacenuara.
Meta është dalluar për djallëzi politike, por jo inteligjencë të fisme politike. Ai dhe Berisha janë dy figura me zero fisshmëri në politikë, jo vetëm në aspekt të sjelljes por dhe të mendjes. Diabolizmi i tyre në komunikim publik e fjalor, tregon boshësinë e tyre në atë pjesë të mendjes ku prodhohet mendim politik imponues, i cili më pas përcillet me elokuencë të qashtër dhe tërheqëse.
Ata as e kanë e as u munduan ta kenë një të tillë produkti nga vetja e tyre politike. Kësisoj, as njëri e as tjetri, nuk kanë gjasë, sado të ashpër, t’i cenojnë Ramën kuota elektorale, që është dhe finalja e një beteje politike.
Këto personazhe janë të lexueshëm tashmë nga elektorati në 30 vjet. Me akuza apo vlerësime, ata e kanë marrë në vite notën në formë vote. Nëse Rama nuk do votohej më, kjo nuk do ndodhte nga akuzat e Metës; kjo do ndodhte për shkak të vetë Ramës, produktit të tij qeverisës, me jo pak zhgënjime. Dhe ka mundësi që pikërisht shfrenimi vulgar dhe idiotesk i Metës t’ja zgjasë jetën në pushtet. Kjo pasi Meta zotëron talentin për të përcjellë vetëm antipati në publik. S’besohet të ekzistojë ndonjë person në këtë tokë të quajtur Shqipëri, që pa ndonjë lidhje a interes te Meta, të tërhiqej nga diç prej tij. Varfëria e tij karakteriale është për të ardhur keq. Ai nuk frymëzon dot politikisht dhe këtë e ka të dëshmuar. Pos kësaj, nuk posedon asnjë grimcë morali politik në përceptimin publik, edhe kjo e provuar.
Dhe kur një njeri i tillë akuzon e sulmon, për më tepër vulgarisht, i akuzuari mund të rifitojë kuota të reja preference publike. Kjo është tezë e vërtetuar. Kaq gjë të thjeshtë s’kupton Meta dhe ata që e rrethojnë. /tesheshi.com/